Vendosni fjalën kyçe....

Denoncimi për të riun e dhunuar brenda komisariatit, reagon policia: Ai dhunoi efektivin


Policia ka reaguar pas një denoncimi të Partisë Demokratike se një i ri është dhunuar nga efektivët brenda komisariatit të qytetit të Bulqizës.

Sipas policisë, i riu me inicialet R. P. është shoqëruar në komisariat pasi nuk kishte mjet identifikimi me vete, mirëpo gjatë momentit të shoqërimit ka kanosur e kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë. E në veçanti i ka shkaktuar dëmtime fizike njërit prej tyre.

Mbrëmjen e kaluar dega e Partisë Demokratike në Bulqizë publikoi një video ku një i ri duket i gjakosur në fytyrë brenda ambienteve të Komisariatit të Policisë.

Videoja u publikua dhe nga ish-deputetja Dhurata Çupi, e cila shprehej: “Dhuna shtetërore ka emër. Ai quhet Edi Rama. Sjellja e tij arrogante, përçmuese dhe gjuha e të fortit ndaj të rinjve vazhdon të frymëzojë dhunë brenda dhe jashtë komisariateve të policisë. Kjo është policia që nuk duam, ky është kryeministri që nuk na duhet! Mjaft më me dhunë! Na duhet ndryshim!”

Njoftimi i policisë:

Në lidhje me një lajm të publikuar në rrjetet sociale ku pretendohet se është ushtruar dhunë nga Policia ndaj një shtetasi që ndodhet i shoqëruar në Komisariatin e Policisë Bulqizë, sqarojmë opinionin publik se:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, në orët e mbrëmjes të datës 17.12.2020, kanë ngritur një pikë kontrolli dhe kanë ndaluar për verifikim një automjet ku udhëtonin tre shtetas, të cilët nuk dispononin mjete identifikimi me vete dhe për këtë arsye është bërë shoqërimi i tyre në Komisariatin e Policisë.

Shtetasi R. P., gjatë momentit të shoqërimit ka kanosur e kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë si dhe i ka shkaktuar dëmtime fizike njërit prej tyre.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Bulqizë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit:
R. P., 29 vjeç, banues në Bulqizë (person me precedent të mëparshëm penal në fushën e vjedhjes), për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Kanosje për shkak të detyrës”.
Në lidhje me pretendimin se është ushtruar dhunë sqarojmë opinionin publik se në asnjë moment nuk është ushtruar dhunë nga punonjësit e policisë ndaj personit të arrestuar.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *