Banorët e fshatit Shkallë të Bashkisë Klos nëpër të cilin kalon Rruga e Arbrit, janë të shqetësuar për nga veprimet e firmës që po ndërton këtë segment.
Shqetësimi i banorëve për firmën ndërtuese “Gjoka Konstruksion” qëndron te nxjerrja e inerteve nga shpati i malit në afërsi të banesave të tyre.
Banorët thonë se nga gërmimet dhe shpërthimet me dinamit, po prishet peisazhi i kësaj zone që me ndërtimin e rrugës do jetë shpresa për turizëm dhe ekonominë rurale.
Por, nga gërmimet jo vetëm prishet peisazhi por kompania ndot edhe mjedisin duke lënë inertet e padëshiruara në rrugë.
Banorët shprehen se kanë denoncuar edhe në Bashki, polici dhe inspektoriat por asnjë nuk i është përgjigjur thirrjeve të tyre.
Denoncimin në rrjetet sociale e ka bërë Abdulla Diku, ekspert mjedisi, i cili ka qenë zë kundër ndërtimit të HEC-eve në Valbonë.