Ditën e sotme, kryebashkiaku i Tiranës i cili është dhe drejtues politik i PS-së për Kavajën, sëbashku me kreun e Kadastrës, Artan Lame ishin në fshatin Kazaz të Helmësit.
Kjo është një prej zonave administrative me më shumë ndërtime pa leje në Kavajë dhe Veliaj dhe Lame ndanë 10 nga mbi 600 certifikatat e pronësisë, të cilat janë gati për t’u shpërndarë për banorët e zonës.
Në këtë takim, Veliaj tha se ndryshe nga më parë, kur nga ky process përfitonin pronarë hotelesh dhe resortesh, sot përfitojnë hallexhinjtë që nuk kanë mundur të sigurojnë një leje për shtëpitë dhe tokat e tyre.
“Sot mund të themi që është zgjidhur problematika e të gjithë Helmësit. Eshtë një arritje dhe punë e madhe, në morinë e mungesës së letrave, të mbivendosjeve, të zyrtarëve të korruptuar, të atyre që jepnin dy herë të njëjtën pronë, të atyre që i jepnin prioritet pishinave dhe resorteve dhe jo shtëpive të hellexhinjve”, u shpreh Veliaj.
Ai tha se përmes këtij procesi janë ndihmuar ata që kanë ndërtuar për hall e jo për babëzi.
“Këtu nuk po flasim për dikë që ndërtoi pa leje për të bërë një hotel me 20 kate, por për dikë që erdhi nga një zonë e vështirë, apo trashëgoi një ndërtesë shumë të vjetër me qerpiç, të bërë me mjete rrethanore, me teknikë të dobët, apo me punë vullnetare. Po bëhen legalizime të hallexhinjve, jo të pasanikëve; bëhet fjalë për njerëz që kanë ndërtuar për hall, jo për qejf, jo për tahma dhe jo për babëzi”– shtoi Veliaj.
Sipas Artan Lame, me legalizimet e sotme numri në total i objekteve të legalizuara në vetëm 6 muaj në këtë njësi shkon në 604. Ndërkohë që në 8 vitet në pushtet të së djathës sipas tij, janë kryer vetëm 8 legalizime.