Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka reaguar për ndalimin nga policia të disa aktivistëve të Aleancës për Teatrin duke e quajtur shoqërim të paligjshëm.
Sipas saj, ky është tregues se brenda policisë së shtetit ka segmente që vazhdojnë të dhunojnë qytetarët.
Për Vokshin, disa policë janë në dispozicion të terrorit që përpiqet të mbjellë Kryeministri Edi Rama.
Reagimi i plotë:
Ndalimi i paligjshëm i aktivistëve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit është treguesi i radhës se në policinë e shtetit ka segmente që vazhdojnë të dhunojnë qytetarët dhe të drejtat e tyre.
Sot në mbrëmje, janë shoqëruar në Komisariatin nr. 1, drejtues të Aleancë për Mbrojtjen e Teatrit. Pa asnjë arsye, duke i dhunuar dhe fshirë nga celularët pamjet që kishin mundur të regjistronin gjatë ndalimit të dhunshëm. Anëtarët e AMT: Ergys Mërtiri, Titi Seranaj dhe Donald Martini janë shoqëruar, ndërkohë që dy prej tyre janë ende brenda komisariatit nr. 1 në kryeqytet.
Ky akt i shëmtuar dhe i rëndë për aktivistë të shoqërisë civile që për muaj dhe vite me radhë kanë demonstruar forcë. e një proteste paqësore siç ishte ajo për mbrojtjen e teatrit, është dëshmi e qartë se segmentet politike në policinë e shtetit janë aktive dhe në dispozicion të terrorit që përpiqet të mbjellë në opinion kryeministri Rama.
Është e qartë që as dorëheqja e Lleshajt nuk ka ndikuar në përdorimin e policisë si vegël qorre e tekave të Kryeministrit i cili jo më larg se dje edhe një herë shprehu mbështetjen për drejtorin e përgjithshëm të policisë dhe ato struktura që manipuluan vrasjen e të riut Rasha dhe dhunuan për ditë me radhë të rinjtë protestues në kryeqytet.
Ky është modeli më i shëmtuar i një policie që duhet të jetë në krah dhe në mbrojtje të qytetarëve.
Çdo ditë e më shumë nuk gjen qytetare që e shohin policinë si mbrojtës por tashmë e konsiderojnë xhelat në duar të Edi Ramës që dhunon çdo kënd që mendon kundër tij.
Boll është boll. Shqipëria ka nevojë për ndryshim!