Një ngjarje e rëndë raportohet nga mediat spanjolle, ku një shqiptar është qëlluar për vdekje me armë zjarri. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e ndjeshme në një restorant në Spanjë, i quajtur “The Orange Tree”.
Sipas mediave spanjolle, shqiptari 42-vjeçar, identiteti i të cilit ende nuk është bërë me dije, është qëlluar rreth orës 21:50 të mbrëmjes, teksa darkonte me të dashurën e tij. Dëshmitarët kanë treguar se një person me kapuç në kokë, hyri në restorant, nxori një armë të vogël dhe qëlloi disa herë mbi shqiptarin dhe më pas u largua me urgjencë nga vendngjarja.
Edhe pse mori 5 plumba në trup, shqiptari ndërroi jetë pas orës 23:00, edhe pse mjekët bënë gjithçka për ta shpëtuar. Sipas Policisë spanjolle, ishte i njohur për efektivët dhe se prej disa vitesh jetonte në provincën e Alicantes.
Hetimet për zbardhjen e ngjarjes kanë filluar dhe pista kryesore është ajo e “spiunimit”, pasi nëntorin e shkuar 6 persona u arrestuan në të njëjtën zonë për falsifikim dokumentesh, trafik droge dhe grup kriminal. Mes të arrestuarve kishte edhe shqiptarë.
Megjithatë nuk është bërë me dije nëse viktima ishte pjesë e grupit, apo një nga elementët që u përdor për shkatërrimin e tyre. Ndërkohë që po punohet edhe për kapjen e autorit, i cili është kapur duke u larguar nga vendngjarja nga kamerat e sigurisë.