Të gjithë ata që duan të aplikojnë për dokumentet e identifikimit mund ta bëjnë këtë edhe të shtunën.
Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj ka dalë në një njoftim për mediet ku ka deklaruar se punonjësit në të gjitha zyrat e aplikimit janë në punë edhe ditën e shtunë.
“Duke përfituar nga rasti, edhe pse është ditë e shtunë, shërbimet e Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, zyrat e gjendjes civile në bashki, njësi administrative, gjithkund ku ka zyra aplikimi për pasaporta dhe ID kartë e kanë një ditë normale pune. Duke i ftuar të gjithë shtetasit shqiptarë, të cilëve iu ka skaduar apo iu skadon në ditën në vijim pasaportat dhe ID kartat, të vijnë e të aplikojnë për dokumentet biometrike.”– tha Doracaj.
Gjatë fjalës së tij, Doracaj u bëri thirrje qytetarëve që iu kanë skaduar dokumentet të aplikojnë për marrjen e shërbimit në kohë, pasi numri i atyre që nuk kanë aplikuar vazhdon të jetë i lartë.
Doracaj sqaroi se aplikimi bëhet online dhe se qytetarët duhet të paraqiten vetëm pak minuta para zyrave të gjendjes civile për të përfunduar aplikimin.