Aktorë e qytetarë u mblodhën para Ministrisë së Brendshme në një tubim kundër dhunës policore.
Tubimi vjen një ditë pas ndalimit të katër aktivistëve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, dy prej të cilëve kanë akuzuar policinë për dhunë fizike.
Aktori Neritan Liçaj tha se format e përdorura nga policia nuk do kenë sukses ndaj tyre siç nuk kanë pasur për vite me radhë gjatë mbrojtjes së teatrit. Ndërsa theksoi se ministrat e qeverisë janë nën shërbimin e qytetarëve e për këtë arsye duhet ta lënë arrogancën e dhunën.
“Zotërinjtë e pushtetit abuzues e kanë parë vendosmërinë tonë, në shkurt bëjmë tre vjet, kot e kanë me këto forma, nuk u prodhojmë më asgjë përveç skandale. Kjo mazhorancë nuk është më legjitime dhe gjëja më e mirë ishte t’i vinin gishtin kokës, të lejojnë zgjedhjet e pastra jo me vjedhje se me dhunë nuk e mbajnë dot pushteti. Ne jemi këtu, nuk trembemi, e kemi treguar, nuk intimidohemi kështu që këtu na kanë, për t’i thënë shtetit, sot se këtu flas unë, ata duhet ta kenë parasysh se janë në shërbimin tonë, ministër do të thotë shërbëtor, janë shërbëtorët e mi prandaj ta lënë agallëgun, arrogancën, të ulin kokën, t’i kërkojnë falje për këto 8 vite vjedhje dhe t’i japin zgjedhje zgjedhjeve të ndershme dhe t’i japin stop vjedhjeve me çunat problematikë.” – tha Liçaj.
Regjisori Edmond Budina tha se dhuna policore nuk është gjë e re nën qeverisjen e kryeministrit Rama ndërsa kërkoi shkarkimin e drejtorit të policisë, Ardi Veliu.
“Dhuna policore në këtë qeveri nuk është e re. Është diçka që ka ndodhur më herët në Astir, Bregun e Lumit e te Teatri Kombëtar. Dhunuan të rinjtë pak ditë më parë. Kërkojmë zbardhjen e së vërtetës që ushtruan dhunë të pajustifikuar, kërkojmë shkarkimin e drejtorit të policisë, me të cilin Shqipëria ka njohur periudhën më të zezë dhe ka qenë dora e hekurt e këtij pushtetit dhe rikthimin e policisë qytetarëve.” – tha regjisori Budina.