Ministri i Drejtësisë të Kosovës, Selim Selimi është gjobitur pasi nuk ka respektuar orën policore.
Lajmin e ka konfirmuar vetë ai përmes një postimi në Facebook, ku shprehet se do ta paguajë dënimin, ndonëse thekson se sipas pikës 25.1 të vendimit për masa për mbrojtjen nga pandemia COVID-19, nga kufizimi i lëvizjes pas orës 19:00 janë të përjashtuar personeli i drejtësisë.
Selimi shprehet se dënimi ndaj tij dëshmon se në Kosovë askush nuk është mbi ligjin.
“Është i vërtetë lajmi që sot jam dënuar për thyerje të masave qeveritare për pandeminë. Edhe pse sipas pikës 25.1 të vendimit për masa për mbrojtjen nga pandemia COVID-19, nga kufizimi i lëvizjes pas orës 19:00 janë të përjashtuar personeli i drejtësisë, kam pranuar ta paguaj dënimin, për shkak të sjelljes profesionale të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, Gentianit dhe ekipës së tij. Kosova ka një polici të respektuar dhe dënimi i shqiptuar ndaj meje dëshmon se në shtetin tonë askush nuk është mbi ligjin”, shkruan Selimi.
Si pasojë e rritjeve të rasteve me Covid-19, qeveria e Kosovës ka vendosur që të kufizojë lirinë e lëvizjes në Prishtinë nga ora 19:00 deri në ora 05:00.