Brenda pak ditësh Zvicra do të fillojë të marrë dozat e vaksinës kundër COVID-19 të Pfizer dhe BioNTech, pasi rregullatori i saj i barnave autorizoi përdorimin e vaksinës.
Siç shkruan Reuters, dy muaj pas marrjes së aplikimit, Swissmedic lejoi vaksinën për njerëzit e moshës 16 vjeç e lart pas një rishikimi të dokumenteve që u dorëzuan.
Kjo hapi rrugën për një shpërndarje fillestare prej pak më shumë se 100,000 dozash, të cilat ushtria do t’i vendosë në magazinim dhe do t’i dërgojë në kantone për të filluar vaksinimet e njerëzve më në nevojë, përfshirë të moshuarit dhe ata me gjendje të caktuara mjekësore.
Një fushatë mbarëkombëtare për të vaksinuar grupet e rrezikut mund të fillojë nga 4 janari.
Swissmedic po shqyrton gjithashtu aplikimet për vaksinat e bëra nga Moderna dhe AztraZeneca.
Rastet me COVID-19 në Zvicër dhe në Lihtenshtajnin fqinj kanë tejkaluar numrin 400 mijë dhe numri i të vdekurve ka arritur në 6 mijë. Për shkak të rasteve të larta, qeveria të premten vendosi të mbyllë restorantet për një muaj dhe të nxisë njerëzit të qëndrojnë në shtëpi.
Vaksina e Pfizer është autorizuar ose aprovuar për përdorim emergjent në më shumë se 15 vende, ndërsa së shpejti pritet dhe miratimi në Bashkimin Europian.