Vendosni fjalën kyçe....

Europa “karantinon” Britaninë, Polonia u bashkohet vendeve të tjera nga frika e Covid-19 mutant


Polonia ka pezulluar fluturimet nga dhe për në Britani, duke u bashkuar me shumë vende, të cilat kanë kufizuar udhëtimin drejt ishullit për shqetësimet në rritje lidhur me një variant të ri të Covid-19, i cili thuhet se përhapet më shpejt se lloji i mëparshëm.

Ndalimi i udhëtimit do të hyjë në fuqi mesnatën e së hënës, njoftoi zëdhënësi i qeverisë, Piotr Muller, në Twitter. Shumë kombe të tjera, duke përfshirë Holandën, Belgjikën, Italinë, Francën, Gjermaninë, Iranin, Argjentinën, Kilin dhe El Salvador kanë ndërprerë transportin nga dhe drejt Britanisë.

Kufizimet u vendosën pas vendimit të Britanisë për të imponuar një bllokim të rreptë të nivelit 4 në një pjesë të vendit në përgjigje të përhapjes së shpejtë të një lloji të ri të Covid-19 në Anglinë jugore.

Varianti i ri thuhet të jetë dukshëm më ngjitës sesa ai i deritanishëm, thanë zyrtarët britanikë, duke shpjeguar kësisoj arsyen pse qeveria nuk do i lehtësonte rregullat Covid-19 për Krishtlindje, në kundërshtim me premtimet e saj.

Efektiviteti i ndalimeve të udhëtimit duhet të shihet ende, duke marrë parasysh se i njëjti lloj është identifikuar në pacientë jashtë Britanisë. Disa vende, si Turqia dhe Arabia Saudite, kanë ndërprerë udhëtimet jo vetëm me Britaninë, por edhe me kombet e tjera, duke shpresuar ta mbajnë virusin mutant larg territorit të tyre.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *