Partia Demokratike ka denoncuar kryeministrin Rama për mashtrimin për dixhitalizimin e shkollave përmes projektit 3.5 milionë euro.
Demokrati Boçi tha në një deklaratë se shembull për këtë janë dy shkollat e Elbasanit, ‘Dhaskal Todri’ e ‘Kostandin Kristoforidhi’, të cilat edhe pse duhet të kishin përfituar nga projekti, në fakt nuk kanë marrë asgjë.
“Në mandatin e tij të parë Edi Rama premtoi ‘një transformim radikal të arsimit’ përmes projektit 3.5 milionë dollarë të dixhitalizimit të shkollave. Si çdo premtim i Edi Ramës, edhe ky rezultoi një gënjeshtër, një mashtrim. 3.5 milionë dollarët janë përdorur, por dixhitalizim të shkollave nuk kemi. Si mijëra të rinj të tjerë, edhe nxënësit e dy gjimnazeve kryesore të Elbasanit, ‘Kostandin Kristoforidhi’ dhe ‘Dhaskal Todri; po vuajnë sot paaftësinë e qeverisë, të miksuar me vjedhjen. Të dy gjimnazet ishin të destinuar për të përfituar nga projekti 3.5 milionë euro me klasat dixhitale dhe tableta për nxënësit, por ato u vodhën dhe nuk mbërritën asnjëherë në destinacion.” – tha Boçi.
Ai shtoi më tej se në gjimnazin ‘Dhaskak Todri’, klasat digjitale nuk funksionojnë prej vitesh ndërsa 3.5 milionë euro janë zhdukur duke qenë se tabletat nuk dihet se ku kanë përfunduar.
“Sot nuk kemi as dixhitalizim të mësimdhënies, as inovacion në arsim, nuk kemi as mësim online, por vetëm mësim të cunguar që ka rritur në mënyrë alarmante analfabetët funksionalë. Në gjimnazin DHASKAL TODRI, sikurse ka ndodhur dhe në të gjithë Shqipërinë, klasat digjitale nuk funksionojnë prej vitesh, sepse 3.2 milonë eurot avulluan rrugës. Ndërsa tabletat nuk dihet ku janë, por dihet që ato nuk arritën asnjëherë në dorë të nxënësve.” – shtoi demokrati.
E njëjta gjë tha Boçi ka ndodhur edhe me shkollën tjetër të Elbasanit, ku prindërit e paguajnë nga xhepi internetin për laboratorin e IT ndërsa e mbylli reagimin duke thënë se PD-ja do sjellë ndryshimin e shpresën për Shqipërinë.