Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata e Tiranës rrëzon për të dytën herë padinë e Mirel Mërtirit ndaj CNA.al

Në foto me rreth: Mirel Mërtiri

Gjykata ka rrëzuar padinë e Mirel Mërtirit ndaj CNA.al. Bëhet fjalë për shkrimet e medias në fjalë lidhur me përfshirjen e tij në disa projekte në shtetin afrikan të Zimbabvesë, që sipas saj janë afera korruptive.

Vendimi është marrë nga gjykatësi Artan Gjermenji ndërsa CNA shkruan se kjo është hera e dytë që gjykata rrëzon pretendimet e Mirel Mërtirit.

Në shkrimin kushtuar vendimit të gjykatës, CNA shkruan se Mërtiri është vërtetuar për lidhjet e tij me pronaren e Top Channel, Vjollca Hoxha dhe drejtorin e këtij televizoni, Ben Blushi, ortakërinë në Bullgari apo bashkëpronësinë e Lori Caffe.

Po kështu ajo shkruan se ka zbuluar e shfaqur skemat e forta të financimit të inceneratorëve, lidhjet e kompanive të bashkëjetueses së tij, Stela Gugallën në Elbasan apo lidhjet e kompanive në Fier dhe Tiranë.

“Inceneratorët janë skandali i demokracisë, i këtyre 30 viteve tranzicion. Janë afera më e madhe korruptive në këndvështrimin tonë si gazetarë, janë vjedhja më e madhe që u bëhet taksave të shqiptarëve dhe këtë nuk mund ta ndalin paditë e Mirelit, Klodianit, Stelës dhe kujtdo tjetër. E vërteta do të dalë pa ndalim! Nuk do të frenohemi në asnjë rast, do i themi të vërtetën çdo Mireli në qarkullim apo çdo Klodi që vjen vërdallë kryeministrit të radhës për të grabitur ç’ të mundë nga taksat e shqiptarëve me kontrata koncesionare apo të tjera si këto. Prandaj, sot jemi përballë faktit. Ne kemi mposhtur për herë të dytë në Gjykatë Mirelin, por e kemi mposhtur me qindra e qindra herë të tjera me shkrimet tona me denoncimet tona.” – thuhet ndër të tjera në reagimin e CNA.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *