Ish-oficeri i policisë, Emiljano Nuhu, i cili ndodhet në mërgim jashtë vendit ka pohuar sot se lidhur me klanin e drogës që u arrestua në Belgjikë e Gjermani nga policitë e këtyre dy vendeve ditën e djeshme, e ka njoftuar asokohe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu si dhe ministrin e Brendshëm.
Ai e bëri deklaratën gjatë emisionit ABC-ja e Mëngjesit të gazetarit Enkel Demi. Nuhu theksoi se edhe pse e kishte informuar drejtorin e Përgjithshëm të Policisë në dy raste, nuk u mor asnjë masë.
“Kam dërguar dy e-maile, një në datën 3 gusht dhe një në datën 14 gusht pranë drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe ministrit të kohës. Pasi dërgova e-mailin e parë nuk mora asnjë reagim. Mendova s’i kanë kushtuar vëmendje nga fluksi i punës. Edhe pasi e rinisa pas dy javësh nuk mora asnjë përgjigje nga drejtori i Përgjithshëm që e ka minimumin e detyrës që kur merr informacion të rëndësisë së lartë. Informacioni ka qenë për këtë grup kriminal ose familje mafioze nëse mund ta quajmë bënte kultivim e trafik droge brenda dhe jashtë Shqipërisë. Plus vepra të rënda penale siç janë vrasjet me pagesë. Kështu e kanë nisur karrierën e më pas për shkak të lidhjeve me politikën kanë kaluar te trafiku i drogës se ka më shumë të ardhura.” – tha Nuhu.
Po kështu ai theksoi se pas dekonspirimit të shumë aksioneve të policive të huaja, është zvogëluar maksimalisht bashkëpunimi me policinë shqiptare, që nuk merr pjesë në asnjë aksion antidrogë që bëhet jashtë vendit ku dyshohet se janë përfshirë shtetas shqiptarë.
“Shqipëria ka një drejtori të caktuar brenda policisë që mbulon agjentët e inflitruar dhe është në bashkëpunim me të gjitha policitë e tjera. Strukturat e huaja i kanë marrë për bazë informacionet e denoncimet por detyra e tyre nuk është hetimi i lidhjeve kriminale në Shqipëri me politikën por kanë humbur besimin te institucionet tona. Pasi policia belge e gjermane kreu operacionin dje, njoftoi policinë tonë që të kryente disa veprime proceduriale siç janë kontrolli banesave të personave të arrestuar atje.” – shtoi Nuhu në denoncimin e tij.
Ditën e djeshme në Belgjikë e Gjermani u krye operacioni ‘Atos’ ku arrestuan tetë persona, gjashtë prej të cilëve shqiptarë. Hetimet për operacionin sipas njoftimit zyrtar kanë nisur që në vitin 2018 ndërsa mes të arrestuarve janë edhe dy nipat e deputetit të PS-së, Rrahman Rraja.