Këshilli i Emërimeve në mbledhjen e sotme mori në intervistë dy kandidatët për anëtarin e gjashtë të Gjykatës Kushtetuese, vakancë e Presidentit të Republikës. Në mbledhje merrnin pjesë anëtarët e KED, Avokati i Popullit, përfaqësuesi i Presidentit të Republikës dhe përfaqësuesi i Kryetarit të Kuvendit.
Kandidatët Aleksandër Toma dhe Përparim Kalo janë paraqitur sot përpara anëtarëve të KED për të zhvilluar intervistën e caktuar në rendin e ditës, duke iu përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të këshillit dhe prezantuar platformën e tyre në lidhje më kandidimin për në Gjykatën Kushtetuese.
Pas përfundimit të intervistimit të kandidatëve, KED miratoi vendimin për pikëzimin dhe renditjen e kandidatëve dhe ditën e nesërme i dërgon listën përfundimtare të renditjes Presidentit të Republikës së Shqipërisë.