Vendosni fjalën kyçe....

Kufizimi i lëvizjes pas orës 20:30, Kisha Katolike letër Rakacollit e Manastirliut: Vendim diskriminues e i nxituar për besimtarët


Kisha Katolike e ka quajtur diskriminues e të nxituar vendimin e Komitetit të Ekspertëve për zgjerimin e kufizimit të lëvizjes nëpërmjet orës së re policore që u njoftua dje.

Sipas një letre zyrtare nga kreu i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, George Frendo drejtuar zv.ministres së Shëndetësisë, Rakacolli, kisha i ka marrë që prej datës 3 dhjetor të gjitha masat që meshat të mbahen në orare të përshtatshme e duke zbatuar protokollet e sigurisë.

Në letër theksohet po kështu se nisja e kufizimeve nga data 24 dhjetor që përkon me natën e Krishtlindjes duket i nxituar e diskriminues. Në fund të letrës bëhet me dije se përfaqësuesit e Kishës do kishin marrë pjesë në konsultime për këtë gjë.

Njoftimi i Kishës

Për dijeni: Znj. Ogerta Manastirlliu

Nunciaturës Apostolike në Shqipëri

Tiranë 21 dhjetor 2020

E Nderuar Zonja Rakacolli,

U njohëm me vendimin e ri të Komitetit të Ekspertëve të drejtuar prej jush, rreth kufizimit në kuadër të masave anti-COVID të marra nga qeveria shqiptare që ndalon qarkullimin e njerëzve pas orës 20.30, duke filluar nga data 24 dhjetor, pikërisht natën e Krishtlindjes.

Ne si Kishë Katolike kishim marrë të gjitha masat që të kremtonim meshët në orare të përshtatshme qysh prej datës 3 dhjetor 2020, sikurse do të shihni nga dokumenti bashkëngjitur. Në këtë dokument kemi vendosur që meshët të mbahen në orare që t’u lejojnë njerëzve të kthehen nëpër shtëpitë e tyre para orës 22.00.

Ky ndryshim i papritur që nis pikërisht Natën e Krishtlindjes, na duket i nxituar dhe diskriminues ndaj komunitetit katolik, që është e vetmja Kishë e Krishterë që kremton lindjen e Krishtit natën. Sapo kishim njoftuar të gjithë besimtarët tanë dje, ditën e Diel, se mesha e Krishtlindjes do të kremtohej te enjtem në orën 20.00.

Me kënaqësi do të kishim marrë pjesë në konsultim për një gjë të tillë.

Duke ju uruar punë të mbarë ju përshëndes,

me nderime

George Frendo O.P.

Kryetar i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë

___________________________________

Znj. Mira RAKACOLLI

Kryetare e komitetit të ekspertëve antiCOVID


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *