Vendosni fjalën kyçe....

Meta takim me të rinjtë: Rinia të marrë në dorë fatet e saj, të refuzojë falsitetin e sistemit


Kreu i Shtetit, Ilir Meta, ka zhvilluar ditën e sotme një takim me një përfaqësi të Rrjetit Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri, (ANYN).

Meta gjatë takimit, është njohur me një raport në të cilin shfaqen problemet e të rinjve sot në vend. Lidhur me këtë, Meta tha se vendi ka nevojë për një zgjim dhe shkundje të rinisë në mënyrë që të marrë në dorë fatet e saj.

Ai theksoi se duhet të refuzohet falsiteti i këtij sistemi që nuk i jep mundësi të rinjve.

Ka ardhur koha për një restart, për një zgjim dhe shkundje të rinisë, për të marrë në dorë fatet e saj dhe të së ardhmes së vendit. Për këtë është e domosdoshme që rinia të jetë e bashkuar, veçanërisht për refuzimin e falsitetit të këtij sistemi, që nuk i dëgjon, nuk i përfshin dhe nuk ju jep asnjë mundësi të rinjve.

Shqetësimi im i madh është shpopullimi i Shqipërisë, veçanërisht largimi i të rinjve, që përbën një kërcënim mjaft serioz për të ardhmen vendit dhe kombit tonë. Gjetjet e raportit tuaj janë vërtet tronditëse dhe unë jam i angazhuar për t’u dhënë së bashku me ju zgjidhje problemeve që ju ngrini.

Është tepër e rëndësishme, që ju të përfshiheni në të gjitha institucionet vendimmarrëse, në Kuvend, Qeveri, Bashki dhe kudo ku merren vendime për të ardhmen tuaj. Jo për të qenë thjesht “kukulla të partive”, por zë konkret dhe i fortë i denoncimit të problemeve të rinisë, që nga arsimi e  deri tek punësimi i tyre dhe protagonistë të zgjidhjeve dhe mundësive të reja për bashkëmoshatarët e tyre.

Në funksion të këtij qëndrimi është tepër e domosdoshme edhe edukimi atdhetar, patriotik dhe me vlerat morale e shoqërore të rinjve.

Nëse 30 vite më pare, ne të rinjtë e Lëvizjes Studentore, do kishim dëgjuar apo pritur prindërit tanë, demokracia dhe pluralizmi ndoshta nuk do kishin ardhur kurrë.

Sot nga thirrjet “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, jemi në stadin që “Duhet ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa”.

Kjo është një luftë që duhet ta fitojmë sepse nuk kemi rrugë tjetër”, –u shpreh ndër të tjera Presidenti Meta.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *