Partia Demokratike ka denoncuar buxhetin e vitit 2021 nga Bashkia e Tiranës.
Sipas ish-anëtarit të Këshillit Bashkiak, Mateo Spaho, bashkia e Veliajt ka marrë këtë vit 113 milionë euro taksa ndërsa ka ofruar shumë pak shërbime për qytetarët.
“Këtë vit ka marrë nga xhepat tanë 113 milionë euro. A kemi ne shkolla dhe kopshte më të mira? Jo! Madje kemi më pak. Kemi ujë të pijshëm 24 orë? Nuk kemi. Kemi ne shërbim publik urban më të mirë? Askush nuk e thotë këtë. A ka në Tiranë më shumë gjelbërim? Përkundrazi. Ka më shumë beton. A është Tirana më e pastër me kaq shumë taksa sa na merr Erion Beliaj ne? Aspak më e pastër. Incineratori është më i pasur. A është shtruar ndonjë rrugë e re që i shërben hjithë qytetit apo të jenë mbyllur disa rrugë në lagjet e Tiranës? Mjafton të dalësh me një kamera për të parë se infrastruktura është skandaloze. Punë nuk ka bërë, por Erion na ka marrë këtë vit pandemie 113 milionë euro.” – tha Spaho.
Ai shtoi më tej se për vitin 2021, bashkia e drejtuar nga Veliaj do marrë 120 milionë euro nga xhepat e qytetarëve të kryeqytetit.
Ndërkohë që nga shumë e lartë pjesa dërrmuese është parashikuar për rroga, orendi zyrash, bileta udhëtimi e pajisje për propagandën e tij e shumë pak është parashikuar investime për qytetarët.
“Me Projektbuxhetin e vitit 2021 Erion Veliaj llogaritet të marrë nga xhepat tuaj, të dashur qytetarë dhe biznese të dërrmuar nga kriza, rreth 120 milionë euro. 11 milionë euro do t’u merren më shumë bizneseve dhe qytetarëve për tarifën e pastrimit. A do të jenë lagjet e Tiranës më të pastra? Jo! Erion Veliaj do të bëjë më të pasur Incineratorin e Tiranës me djersën e qytetarëve. 5 milionë euro më shumë do të detyrohen bizneset të paguajnë për taksën mbi pasurinë e paluajtshme. Megjithëse dyqanet i kanë pothuajse bosh, bashkia nuk parashikon asnjë ndihme, por vetëm presion për t’u marrë sa më shumë para nga xhepat. Edhe 5 milionë euro të tjera do të marrë Erion Veliaj nga gjobat. Ky xhep i Erion Veliakt mbushet kryesisht me gjobat për parkimin. Tirana është sot qyteti më i pajetueshëm në lidhje me parkimet. 4 milionë euro do të merren nga e ashtuquajtura taksë e përkohshme për infrastrukturën arsimore. Çfarë është bërë me këtë taksë të paligjshme? Është ndërtuar ndonjë shkollë? Në të vërtetë jo! Sepse shkollat Erion Veliaj po i bën me PPP, duke i paguar shumë shtrenjtë klientët e tij me paratë tona. A ka ngrohje në shkolla dhe kopshte? Fëmijët dhe prindërit e dinë që jo, sepse vazhdojnë të paguajnë nga xhepi.” – shtoi Spaho në denoncimin e tij.