Kontingjenti i parë me 4,875 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech arriti të martën në Beograd, tha sekretari shtetëror i Ministrisë së Shëndetësisë në Serbi, Mirsad Gjerllek.
“Vaksina ka arritur. Menjëherë e kemi dërguar në Institutin e Virologjisë Torlak, në frigoriferë në minus 80 gradë”, tha Gjerllek, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.
Gjerllek tha se imunizimi kundër koronavirusit, sipas të gjitha gjasave, do të nisë javën e ardhshme, ndërsa gjatë ditës, shtoi ai, do të qartësohet se cili grup do të vaksinohet i pari.
Gjerllek tha se gjatë janarit, në Serbi pritet të arrijnë edhe 20-21,000 vaksina Pfizer/BioNTech, sepse licenca e importit është lëshuar për 24,000.
Ai konfirmoi se autoritetet serbe janë duke zhvilluar bisedime intensive edhe me rusët dhe kinezët, për importin e vaksinave të tyre, raporton Rel.