Vendosni fjalën kyçe....

“Gener 2” e Bashkim Ulajt ankohet për tenderin e tunelit të Llogarasë


Kompania ‘Gener 2’ në pronësi të Bashkim Ulajt është ankuar për tenderin e ndërtimit të tunelit të Llogarasë, i çelur së fundmi nga Ministria e Infrastrukturës.

Bëhet fjalë për një tender ndërkombëtar me vlerë 19 miliard lekë që është publikuar edhe në Agjencinë e Prokurimit Publik.

Kompania e Ulajt ka paraqitur në datën 19 dhjetor një ankesë mbi kushtet e garës që janë shpallur në tenderin e publikuar.

Ankesa e parë ka të bëjë me EBITDA-n (Earnings Before Interest, Taxes, Depreciation, and Amortization-Fitimet para aplikimit të Interesave, Taksave, Zhvlerësimit e Amortizimit). Sipas ‘Gener 2’, kushti për një mesatare të EBIDTA-s të pesë viteve të fundit (2015-2020) duhet të jetë të paktën 50 milionë euro.

Sipas kompanisë së Ulajt, EBIDTA llogaritet rreth 20% e xhiros së një kompanie dhe një e tillë 50 milionë euro do të thotë rreth 250 milionë euro xhiro mesatare vjetore. Ndërkohë që në kushtet e tenderit xhiroja që kërkohet është 110 milionë euro e sipas ‘Gener 2’ është kriter konfliktual e në shkelje të ligjit.

Një tjetër kusht që kërkohet në tender është pasurit e përvojës së suksesshme për ekzekutimin e të paktën një kontrate për ndërtim urash në rrugë, apo të një natyre apo kompleksiteti të krahasueshëm me kontratën aktuale gjatë 5 viteve të fundit. Kriteri përfshin në një nga pikat ndërtimin e 4 urave me gjatësi të paktën 120 metra. Kompania ‘Gener 2’ vlerëson se kriteri në fjalë është diskriminues.

Ajo thekson se një kompani mund të ketë ndërtuar ura edhe më të mëdha se 120 metra që kërkohet në tender dhe një kompani që ka ndërtuar ura me gjatësi 500 metra nuk mund të skualifikohet përballë një kompania që mund të ketë ndërtuar 4 ura nga 120 metra gjatësi.

Kriteri tjetër i tenderit që është ankimuar nga kompania e Ulajt është paraqitja e licencave profesionale në përputhje me këtë objekt prokurimi, nëse zbatohet në vendin e origjinës. ‘Gener 2’ vëren se në situatën e pandemisë nxjerrja e një licence në Shqipëri kërkon 38 ditë dhe është e pamundur që të bëhet njehsimi i licencave. Ajo shton në fund se kriteri në fjalë është diskriminues pasi përjashton një pjesë të mirë të konkurrencës.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *