Qytetarët francezë që nuk pranojnë të bëjnë vaksinën e koronavirusit do të ndalohen nga transporti publik si dhe nga hyrja në vende të tjera, nën një plan të diskutueshëm të emërtuar ‘Pasaporta e Gjelbër’.
Masa e fundit është përcaktuar në një projektligj që ka marrë rrugën për në parlament.
Duke fituar mbështetjen e kabinetit të kryeministrit Jean Castex në fillim të kësaj jave, ligji propozon të ndalojë ‘përdorimin e transportit apo hyrjen në vende të tjera publike apo pjesëmarrjen në veprimtari të ndryshme’ për ata që nuk janë në gjendje të provojnë se kanë marrë një ‘trajtim parandalues’ për Covid-19 , duke përfshirë vaksinën, ose të provojnë se janë negativ nga Covid-19.
Projektligji është denoncuar ashpër nga anëtarët e opozitës, me zëdhënësin e partisë së krahut të djathtë të Rally National (RN), Sebastien Chenu, që akuzon qeverinë për planifikimin e një ‘diktature shëndetësore’. Kreu i partisë, Marine Le Pen, ndërkohë e cilësoi masën e propozuar si ‘totalitare’.
“Në një mënyrë të pakuptimtë, ky projektligj nuk synon të bëjë të detyrueshme vaksinimet, por do të parandalojë cilindo që nuk pajtohet të ketë një jetë shoqërore.” – tha ajo.
Partia Republikane e qendrës së djathtë (LR) gjithashtu dënoi projektligjin, me nënkryetarin Guillaume Peltier që tha se ishte ‘e pakonceptueshme’ që zyrtarët ‘të merrnin të gjithë fuqinë për të pezulluar liritë tona pa kontrollin parlamentar’.