Kryeministri Edi Rama gjatë një interviste-rrëfim për emisionin Opinion është pyetur për perceptimet e tij për kundërshtarët e tij politikë gjatë karrierës së tij në qeverisje dhe drejtim.
Rama e ka quajtur Sali Berishën si lider karizmatik ndërsa Ilir Metën e ka cilësuar si person të dyzuar dhe kreun aktual të opozitës, si drejtues politik pa karakter.
Perceptimi për Sali Berisha
Saliu është tipiku i pushtetit si qëllim, jo si mjet për të arrit qëllimin. Kjo e ka penguar jashtëzakonisht shumë… Ka qenë dhe është….tani më mirë të mos flasin se është në rënie të lirë, por karizmatik, shumë i vendosur dhe mbi të gjitha shumë i aftë për të shkuar drejt objektivit dhe për të mos u hallakatur gjatë rrugës. Pra është shumë më tepër strategjik se sa taktik, në aspektin e natyrës së lidershipit dhe kjo e ka bërë që të jetë dominant në një periudhë të gjatë në partinë e tij, por të jetë dominant edhe në këtë periudhë të historisë e madje të ketë dominancë edhe kur nuk ka patur pushtet.
Perceptimi për Ilir Metën
Iliri është dy në një. Nuk është dy njerëz të ndryshëm në dy periudha të ndryshme historike, por është dy njerëz në një në çdo moment, është njeri shumë i dyzuar. Dhe ajo që unë them duket si figurë letrare, por është fatkeqësisht e vërtetë në këtë rast. Por Iliri është njeri me hënë. Është shumë i pasigurt brenda vetes dhe kjo e bën të paqëndrueshëm, por në thelb nuk kam asnjë gjë me të.
O jam marr vesh shkëlqyeshëm, o nuk jam marr vesh fare, nuk kam pas asnjë periudhë kur as jam marr vesh e as nuk jam marr vesh. O jam marr vesh shkëlqyeshëm, o nuk jam marr vesh. Ai është dy veta. Varet se cilin Ilir të bie radha të kesh përballë në atë moment kur ke një çështje për të trajtuar.
Perceptimi për Lulzim Bashën
Mund ta diskutosh gjerë e gjatë karakterin e lidershipit të Saliut, karakterin e lidershipit të Nanos. Mund të diskutosh jo aq gjerë dhe gjatë se është më e thjeshtë, por gjithsesi mund ta diskutosh karakterin e lidershipit të Ilir Metës, që gjithsesi nuk mund të krahasohet me këta dy të tjerët për nga pikëpamja e kapaciteteve të lidershipit, po ka stof politik. Luzlim Basha nuk është lider.
Lulzim Basha është një drejtues pa karakter. Nuk ka karakter, si të them. Kjo tryezë ka karakter, ky abazhur ka karakter, ky mermer këtu ka karakter, ndërkohë që ajo është një lloj paluzeje, që nuk di merr formën, nuk di. Se ka politikanë që marrin formën e vazos gjithmonë, por nuk janë lider. Nuk ka lider që merr formën e vazos.