Gazetari Mero Baze ka shpjeguar shkaqet që sipas tij kanë ndikuar në paqartësitë mes shqiptarëve në dy anët e kufirit dhe për atë që e cilëson racizëm ndaj shqiptarëve të Kosovës.
I ftuar në emisionin “Ku gabuam, Tiranë-Prishtinë” të gazetarit Baton Haxhiu, Baze tha se kemi jetuar të ndarë nga shqiptarët e Kosovës së paku gjatë 100 viteve të fundit, duke pohuar se jemi shoqëri ende primitive e jo mendjehapura.
Ai theksoi se mendësia që ekziston vjen nga moskomunikimi.
“Janë shoqëri që janë rritur e zhvilluar ndaras nga njëra-tjetra. Me një iluzion për njëra-tjetrën jo me një vështrim realist. Ne kemi pasur iluzionet tona për Kosovën dhe Kosova, super iluzionet për ne..Ne jemi shoqëri primitive, dhe kjo është një arsye shumë e fortë.” – tha Baze.
Ai shtoi më tej se shkak për atë që e quan racizëm shqiptar ndaj shqiptarëve të Kosovës është edhe politika.
“Ekziston një ndjenjë bezdie, të paktën në vitet ’90 ndaj të të quajturës frymë kosovare në Shqipëri. Mendoj se shkaku kryesor ka qenë politika. Identifikimi politik i Kosovës në Shqipëri me një faktor politik, gjithnjë formon një frymë anti-kosovare. Njëlloj siç mund të ndodhë në Kosovë. Në vitet ’90 identifikimi me Sali Berishën, krijuan në shoqëri një lloj bezdie.” – vijoi ai.
Baze nuk lë pa cekur edhe atë që ndodhi në vitin 1999 gjatë kohës së eksodit të shqiptarëve të Kosovës drejt Shqipërisë për shkak të Luftës së Kosovës duke thënë se ajo që ndodhi ishte mrekulli.
“Në ’99 në pushtet ishte e majta dhe mikpritja ishte maksimale…E majta tani e kishte përgjegjësi këtë punë. Kur ndodhi komunikimi kishte zero racizëm. Fakti që askush nuk e përdorte dot politikisht, ishte një gjë shumë e rëndësishme. Ishte fiks ajo fatkeqësi e cila, ai bashkim i dhunshëm, që shmangu çdo keqkuptim.” – shton Baze.