Apu Sarker është një 22-vjeçar nga Bangladeshi. Së bashku me familjen e tij, ai jeton në një fshat në Natore, ku punon edhe si ndihmës mjek, ndërsa babai dhe gjyshi i tij ishin fermerë.
Ata janë bërë të famshëm pasi të gjithë nuk kanë shenja gishtash. Burrat e familjes Apu kanë një mutacion gjenetik të rrallë, i cili prek një numër jashtëzakonisht të vogël personash në botë. Po të kthehemi në ditët kur ka jetuar gjyshi i Apu, të mos kishe shenja gishtash nuk ishte ndonjë gjë e madhe. “Unë nuk e mendoj se ai e ka pasur ndonjëherë problem këtë gjë”, tha Apu, shkruan BBC.
Por, gjatë dekadave, shenjat e gishtave janë kthyer në një element mjaft të rëndësishëm identifikues, të njohura edhe si dermatoglifet.
Në vitin 2008, kur Apu ishte ende shumë i ri, Bangladeshi prezantoi kartat e identitetit, ku kërkoheshin edhe gjurmët e gishtave. Punonjësit u befasuan fillimisht dhe nuk dinin si të vepronin për t’i lëshuar kartën e identitetit babait të Apu. Më në fund, ata morën një vendim, ku në vend të shenjave të gishtave shkruan, “pa shenja gishtash”.
Në vitin 2010, gjurmët e gishtave u bënë të detyrueshme për pasaportat dhe lejet e drejtimit të automjeteve. Pas shumë përpjekjesh, Amal ishte në gjendje të merrte pasaportën, pasi paraqiti edhe një vërtetim nga një grup mjekësh. Megjithatë, ai kurrë nuk e ka përdorur atë, pasi i trembet problemeve me të cilat mund të përballet në aeroporte. Ndërkohë, edhe pse drejtimi i një motoçiklete është mjaft e rëndësishme për punën e tij, ai nuk ka mundur të marrë një patentë. “Kam paguar tarifën, kam dhënë provimin, por ata nuk ma lëshojnë patentën sepse nuk kam shenjat e gishtërinjve”, tregoi ai.
Së fundmi, Amal dhe Apu, morën edhe kartat e reja të identitetit të lëshuara nga qeveria e Bangladeshit, pasi ata paraqitën një certifikatë mjekësore. Këto karta kanë edhe të dhëna të tjera biometrike, si për shembull skanimi i retinës.