Vendosni fjalën kyçe....

Organizata Politike: Minatorëve iu premtua statusi nga politika po u mashtruan, do bëjmë gjithçka për t’i ndihmuar ta arrijnë


Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës ka dorëzuar te Kuvendi i Shqipërisë peticionin me më shumë se 10 mijë firma, që kërkon bërjen ligj të Statusit të Minatorëve.

Sipas Organizatës Politike, statusi u është premtuar minatorëve nga politikanë sharlatanë nga të gjithë kahet politike, po pavarësisht kësaj minatorët ende vdesin në galeri, keqpaguhen e familjet e tyre mbeten pa mbështetje.

Në deklaratën e OP-së theksohet se ata kanë qenë në mbështetje të minatorëve në çdo betejë të tyre si dhe i kanë ndihmuar edhe në procesin e mbledhjes së firmave.

Në fund Organizata Politike deklaron se nisma e minatorëve duhet shoqëruar me të tjera përpjekje dhe se do i ndihmojë minatorët për t’i realizuar.

“Sot Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës dorëzoi në zyrat e Kuvendit të Shqipërisë peticionin me mbi 10,000 firma, i cili kërkon bërjen ligj të Statusit të Minatorëve. Statusi u është premtuar minatorëve nga sharlatanë politikë të të gjitha ngjyrave, por ende sot minatorët vdesin në galeri, keqpaguhen, familjet e tyre mbeten pa mbështetje, ndërkohë që shumica e tyre nuk e arrijnë moshën e pensionit të plotë.

Ne, aktivistët e Organizatës Politike, kemi qenë në mbështetje të minatorëve në çdo betejë shoqërore, ashtu sikundër i kemi ndihmuar edhe në këtë hap të mbledhjes së firmave. Këto javë kemi vënë re se si mijëra qytetarë janë solidarizuar me minatorët jo thjesht me një firmë, por mbi të gjitha me zemër dhe inkurajim. Shumë prej tyre na kanë thënë se iniciativa e minatorëve duhet shoqëruar me të tjera përpjekje për të gjithë punëtorët dhe sigurimin e të drejtave për krejt shoqërinë. Ne do të bëjmë gjithçka që këto aspirata të materializohen përmes solidaritetit dhe organizimit tonë të përbashkët.” – thuhet në reagimin e Organizatës Politike.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *