Vendosni fjalën kyçe....

Rama për zgjerimin e Greqisë në 12 milje: Jetojmë në shekullin e 21-të në Europë, s’mund të shiten e blihen territore


Kryeministri Rama e ka quajtur llum nacional-folklorik reagimin pas zgjerimit të Greqisë në 12 milje në Detin Jon.

Ai e quan shpifje pretendimin e ‘shitjes së detit’ ndërsa shton se Tirana e Athina kanë rënë dakord që çështjen e delimitimit të kufirit detar ta çojnë në Gykatën Ndërkombëtare.

“Llumi nacional-folklorik i politikës shqiptare pa kufij, pa din e iman, është derdhur sërish në oqeanin digjital përmes shpifjes së madhe të “shitjes së detit” Greqisë! Këtë marrëzi ekstreme për përfitime politike mund ta besojnë vetëm ata që s’duan të dëgjojnë e as të kuptojnë! Pas rrëzimit të marrëveshjes famëkeqe të 2009 dhe mosmarrëveshjes që pasoi, ne kemi arritur më në fund dakordësinë me palën greke që delimitimin e kufirit tonë detar ta çojmë në Gjykatën Ndërkombëtare! Shtrirja 12 milje e Greqisë në Jon s’ka lidhje me zonën joniane mes nesh!” – tha Rama.

Kreu i qeverisë shton se e drejta e 12 miljeve detare ushtrohet ku është e mundur ndërsa Greqia e ka ushtruar këtë të drejtë siç ka bërë Shqipëria në vitin 1990.

Rama thekson se në shekullin e 21-të në mes të Europës s’mund të ‘shiten’ e ‘blihen’ dete e territore fshehurazi apo haptazi.

“E drejta e 12 miljeve ushtrohet aty ku është e mundur dhe jo aty ku s’ka mundësi, siç është rasti në zonën mes nesh ku vija ndarëse do të vendoset me gjyq! Greqia e ka ushtruar këtë të drejtë së fundmi, fiks siç e ka ushtruar Shqipëria qysh në vitin 1990! Të tjerat janë dokrra! Jetojmë në shekullin XXI dhe në mes të Europës,ku nuk mund të “shiten” e “blihen” dot dete e territore as fshehurazi, as haptazi nga asnjë autoritet i veçantë! Këto mund të ndodhin vetëm në batakun e ligësisë e të injorancës,ku llumi i shqiptarisë gjen shesh për përsheshin e tij!” – mbyll reagimin e tij Rama.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *