Kreu i PD-së, Basha, është takuar sot me studentët e Fakultetit Ekonomik.
Gjatë takimit kryedemokrati theksoi se ekonomia është goditur rëndë nga pandemia por edhe dukuritë si korrupsioni dhe kontrolli i parave publike dhe sektorëve strategjikë nga oligarkët.
“Oligarkë janë ata të cilët pushtetin e tyre ekonomik e përdorin për të diktuar vendime politike që nga ligjet, kontrata, leje, licenca dhe gjithçka tjetër. Ata që në bashkëpunim me një grusht qeveritarësh, pastaj vënë në kontroll të gjithë ekonominë, politikën dhe median e vendit. Rruga për t’u marrë me ta është ligji ynë Anti-Mafia. Të gjithë ata që plotësojnë këto kushte do t’i nënshtrohen një hetimi të thelluar administrativ dhe do t’i përcillen pastaj për ndjekje strukturave të posaçme anti-korrupsion. Synimi i ligjit Anti-Mafia është që këta njerëz që janë përfshirë në këto llojë kontratash, mos të gëzojnë të ardhurat e përfituara padrejtësisht dhe këto të ardhura të rekuperohen dhe t’i kthehen qytetarëve.” – tha Basha.
Kryedemokrati theksoi se menaxhimi që qeveria i ka bërë pandemisë Covid-19 ka sjellë një krizë të thellë në ekonomi.
“Pikërisht prej dështimit të Edi Ramës për të dhënë një paketë minimalisht sa paketa e Kosovës, ne futemi në një zinxhir negativ, zinxhir rënie të thellë ekonomike e cila siç e keni parë dhe siç e ka raportuar Banka Botërore, FMN dhe institucionet e tjera, është pothuajse dyfish i rënies ekonomike të vendeve të tjera të rajonit. Justifikimin e kemi dëgjuar pse nuk është bërë një paketë e tillë, sepse kaq para kemi, por nga ana tjetër janë marrë borxh pothuajse 1.1 miliardë euro dhe është dhënë një paketë ekonomike 102 milionë euro! Pra, para ka. Ku shkojnë këto para!? Ku shkojnë 1 miliardë euro të tjera që janë marrë borxh!? Shpenzimet publike të qeverisë kanë shkuar në dy drejtime kryesore, në të famshmin program të PPP-ve dhe koncensioneve, , ku është detyruar shteti me një shumë marramendëse prej 2.2 miliardë eurosh që rritet nga viti në vit dhe në të ashtëquajturin program të “Rilindjes Urbane”, pra, investime kryesisht në fasada.” – shtoi Basha.
Po kështu Basha u premtoi studenëve se qeverisja e PD-së ka program të qartë për t’u ardhur në ndihmë të rinjve për sa i përket shkollimit, praktikës e punësimit.
“Kemi më shumë se 4 vite që i mëshojmë një përqasje që ne e kemi hartuar me miqtë tanë gjermanë që janë pararojë e kësaj përqasjeje në Europë, por që ka dhënë kaq shumë rezultate pozitive sa duhet të jesh totalisht i pandjeshëm, siç është kjo qeveri e ky kryeministër ndaj rinisë, që mos të kesh hedhur asnjë hap për ta zbatuar. Cila është kjo përqasje? Është përqasja e financimit të politikave për studentët. Çfarë kushton 10-15 milionë euro që ti ia jep Check-up-it dhe ndonjë tjetri në vit, do të mundësonte të paktën 10 mijë stazhe të paguara në vit, me 300 mijë lekë të vjetra në muaj, që është një pagesë simbolike por e mjaftueshme për të tërhequr 10 mijë studentët më të mirë në praktikë, nga të cilët 70-90% pas praktikës sigurojnë një vend pune. Unë ju siguroj se si kryeministër i ardhshëm prioritet do të kenë praktikat mësimore për studentë, do kenë subvencionimi 100% i tarifave për 90% të studentëve që vijnë nga familje me të ardhura nën 640 mijë lekë në muaj. Prioritet do të jetë programi ynë për subvencionimin e fermerëve me 100 milionë euro në vit. Prioritet për mua do të jetë taksa 9% që Shqipëria të jetë konkurruese me rajonin dhe të thithë investime të huaja. Prioritet për mua do të jetë rritja e pensioneve dhe jo 10 oligarkët pranë qeverisë” – theksoi Basha.