Vendosni fjalën kyçe....

Humbja ndaj Partizanit, Gega jep dorëheqjen nga pankina e Kukësit


Trajneri i Kukësit, Skënder Gega, ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i skuadrës menjëherë pas humbjes së thellë ndaj Partizanit.

Kukësi humbi ditën e sotme 4-1 përballë Partizanit, veprim i cili duket se ka sjellë që Gega të largohet nga klubi verilindor.

Njoftimi i klubit:

Futboll Klub Kukësi njofton se për shkak të rezultateve të fundit, trajneri Skënder Gega ka vendosur të japë dorëheqjen. Pas ndeshjes, trajneri i ka komunikuar klubit vendimin për dorëheqje dhe ky vendim është pranuar dhe është vënë në dijeni presidenti i nderit Safet Gjici. Pas ndeshjes, trajneri ka takuar skuadrën dhe stafin teknik për t’u përshëndetur.

Klubi e falënderon Gegën për kontributin e dhënë dhe i uron shumë suksese në të ardhmen. Trajneri Gega ka shpjeguar arsyet e largimit nëpërmjet këtij mesazhi:

“Prej disa muajsh kam qenë në krye të pankinës së Kukësit.

Edhe pse kam pasur mbështetjen, besimin dhe respektin nga të gjithë në situatën që ekipi po kalon në ndeshjet e fundit, marr përgjegjësitë dhe vendimin që të mos vazhdoj më në pozicionin e trajnerit.
I kërkova klubit dhe presidentit Gjici të më mirëkuptojë për vendimin tim aspak të lehtë.
JU LUTEM NUK KA VEND PËR ALUDIME !

Jam ndjerë tepër i vlerësuar dhe i respektuar nga presidenti Gjici, nga i gjithë klubi, stafi, futbollistët dhe mbështetsit e Kukësit.

Për mua ishte kënaqësi dhe eksperiencë shimë e mirë pavarësisht me vështirësite e fillimit.

Jam i sigurt që Kukesi do të shkojë atje ku e meriton sepse është një grup shumë i mirë lojtarësh dhe ka mbështetje të madhe nga të gjithë tifozët e mrekullueshëm.

Ju falënderoj të gjithëve për respektin dhe mbështetjen tuaj.

Ju uroj të gjithëve shëndet dhe suksese.

Me respekt

S.Gega


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *