Ministri i Rindërtimit, Ahmetaj, ka thënë sot se ka dy lajme të mira për qytetarët që ngelën pa shtëpi pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.
Në një intervistë për News24, Ahmetaj tha se rreth 1 mijë familje janë futur ose do futen në banesat e tyre të rindërtuara deri në 31 dhjetor të këtij viti.
“Ka dy lajme të mira për qytetarët që presin të hyjnë në shtëpi, apo kanë hyrë. Janë 1 mijë familje që deri në 31 dhjetor do hyjnë në banesa individuale. Isha në Pezë, kam qenë Shijak, shkoj në Kavajë, Thumanë, përfundojnë para 31 dhjetorit, do e gëzojnë në shtëpitë e tyre të reja falas.” – tha Ahmetaj.
Ai shtoi më tej se deri në maj 2021, asnjë nga 1156 familjet që janë ende në çadra, nuk do mbetet më aty por do futet në shtëpitë e reja. Ahmetaj tha se të gjithë kanë marrë bonusin e qirasë.
“Lajm i dytë, që deri në maj deri në fund të majit 2021 asnjë familje nga 1 mijë e 156 familje që janë ende në çadra, nuk do ngelet më aty. Në janar ishin mbi 11 mijë në çadra. Të gjitha kanë marrë bonus qiraje. Duke u ndërtuar, duke i rikonstruktuar, duke ulur numrin e familjeve në çadra. Siç e theksova në maj të vitit 2021 ne nuk do kemi asnjë familje në çadër.” – shtoi Ahmetaj.