Presidenti i zgjedhur Joe Biden pritet të ndryshojë disa nga politikat më të debatueshme të Presidentit Donald Trump për imigracionin, kur të marrë drejtimin e vendit. Materiali në vazhdim i hedh një vështrim planit të veprimit të zotit Biden mbi politikat që ndikojnë tek refugjatët, kërkuesit e azilit dhe përfituesit e programit DACA.
Ndalimet e udhëtimit. Kufizimet për azilin dhe refugjatët. Ndarjet e familjeve dhe përpjekjet për shfuqizimin e programit DACA, janë disa nga politikat e Presidentit Trump për imigracionin të cilat presidenti i zgjedhur ka premtuar t’i ndryshojë.
Presidenti i ardhshëm ka të ngjarë të përdorë urdhra ekzekutivë për të përmbysur këto politika, thonë analistët. Maureen Sweeney është profesore dhe drejton qendrën për imigracionin në Shkollën e Magjistraturës në Universitetin e Merilendit, shkruan VOA.
“Gjithçka Presidenti Trump bëri në mënyrë të njëanshme, ata gjithashtu mund t’i bëjnë, ose zhbëjnë në mënyrë të njëanshme. Parashikoj që të anulohet kufizimi i udhëtimeve, të ndryshojnë menjëherë kufizimet për refugjatët. Padyshim që Presidenti i ka kompetencat t’i bëjë këto”.
Përpjekjet e Presidentit Trump për t’i dhënë fund programit DACA nxitën protesta të mëdha gjatë katër viteve të tij në detyrë.
“E them qartë, imigrantët janë të mirëpritur këtu.”
Programi i periudhës së zotit Obama mbron nga deportimi njerëzit e sjellë në rrugë të paligjshme në Shtetet e Bashkuara si të mitur. Presidenti Trump tha se programi përbën “amnisti të paligjshme” por premtoi të ndihmonte pëfituesit e programit DACA nëse Kongresi vepronte.
“Ndjej dashuri për këta njerëz. Shpresoj që Kongresi të jetë në gjendje t’i ndihmojë ata dhe ta bëjë siç duhet.”
Por Kongresi nuk veproi, dhe fati i programit DACA kaloi në gjykatë. Vendimi i fundit i gjykatës për rastin në fjalë i kërkon agjencisë së imigracionit të rifuqizojë plotësisht programin DACA. Por kundërshtarët e programit janë zotuar ta sfidojnë atë në gjykatë. Por zgjidhja e problemit të imigracionit mund të marrë kohë, thotë profesoresha Maureen Sweeney me Shkollën e Magjistraturës në Universitetin e Merilendit.
“Zgjidhja e politikave të azilit të administrates së Presidentit Trump do të jetë një çështje e thellë dhe e komplikuar.”
Si pjesë e premtimeve për të kontrolluar kufirin me Meksikën dhe ndaluar imigracionin e paligjshëm, Presidenti Trump krijoi Protokollin e Mbrojtjes së Migrantëve, e njohur si MPP. Në bazë të tij, migrantët duhet të qëndrojnë në qytetet kufitare meksikane ndërsa presin që çështjet e tyre të trajtohen në gjykatat amerikane të imigracionit. Ekspertët thonë se ndryshimi i kësaj politike do të jetë më e vështira. Sarah Pierce është analiste me Institutin e Politikave të Migracionit.
“Kjo çështje do të marrë kohë. Sapo administrata të marrë drejtimin do të ndalojnë regjistrimin e njerëzve në këtë program ose qendrimin e tyre në Meksikë.”
Mbështetësit e politikave të Presidentit Trump për imigracionin thonë se ndryshimet ishin të nevojshme. Lora Ries është me Fondacionin Heritage.
“Administrata e Presidentit Trump u përpoq të kthehej tek qëllimi fillestar; synimi legjislativ, kur Kongresi krijoi shumë nga këto programe. Mendoj se në përgjithësi këtë kishte në mendje administrata kur bëri shumë nga ndryshimet.”
Sa i përket programit për refugjatët, që arriti nivele të ulta rekord në administratën e Presidentit Trump, zoti Biden është zotuar të rrisë numrin e refugjatëve në 125 mijë. Analistët thonë se mbetet shumë punë për të bërë. Michele Waslin është me Institutin për Hulumtime të Imigracionit në Universitetin George Mason.
“Në shumë raste agjencitë përgjegjëse për refugjatët janë gjymtuar. Punonjësit atyre agjencive tani merren me çështje të tjera. Shumë njerëz që punonin aty janë larguar sepse prej shumë kohësh ne nuk kemi mirëpritur refugjatë. Ndaj duhet të rindërtojmë këto agjenci dhe t’i bëjmë më të forta dhe më të mira se sa ishin më parë.”
Megjithatë, ekspertët thonë se imigracioni nuk ka të ngjarë të jetë në krye të listës së zotit Biden për shkak të situatës nga pandemia, e cila vazhdon të dobësojë ekonominë amerikane dhe të marrë jetë njerëzish.