Vendosni fjalën kyçe....

Intervista e ekspertes biologe – Si e zbuluam Covidin në kartelat e muajit shtator 2019


Në foto: Ekspertja biologe shqiptare Inesa Hyseni

Një studim mbi skanerat e kancerit në mushkëri i zhvilluar në Itali, mund të ndryshojë gjithë fabulën e origjinës së Covidi-19, e cila deri tani sugjeron se është me prjeardhje nga Kina.

Në datën 11 nëntor 2020, në Itali u botua një studim që kishte të bënte me pandeminë Covid-19. Studimi i publikuar në vendin fqinj rezulton të jetë tejet i rëndësishëm duke qenë se çel për herë të parë një kapitull e persektivë të re për sa i përket pandemisë globale, që zyrtarisht ka nisur në Wuhan të Kinës në fundit të dhjetorit 2019.

Hashtag.al kontaktoi me një eksperte biologe shqiptare në Itali, që ka qenë pjesë e këtij studimi, për të mësuar më shumë hollësi rreth këtij hulumtimi të rëndësishëm. 

Studiuesit italianë kanë kryer një hulumtim të hollësishëm duke studiuar kartelat e qindra pacientëve që ishin pjesë e një studimi për kancerin e mushkërive në periudhën Shtator 2019-Mars 2020.

Ata kanë zbuluar gjurmët e SARS-COV-2 (Covid-19) në kartelat e të dhënave të pacientëve që në shtator të vitit 2019. Kjo do të thotë tre muaj para se koronavirusi i ri të shfaqej zyrtarisht në Kinë dhe gjashtë muaj para se ai të mbërrinte zyrtarisht në Itali.

Pjesë e ekipit të studiuesve që kanë hulumtuar e më pas publikuar studimin  e rëndësishëm edhe shqiptarja Inesa Hyseni, eksperte biologe.

Hashtag.al iu drejtua Hysenit me disa pyetje, për të mësuar më shumë mbi studimin e publikuar, metodat e përdorura dhe pritjen që iu bë në vendin fqinj.

Intervista e plotë e ekspertes biologe, Inesa Hyseni

1 – Jemi njohur me studimin e publikuar në Nentor 2020, ndërsa ekipi ku ju bëni pjesë, ka zbuluar gjurmë të Covid-19 në kartela dhe skanera pacientësh të muajit Shtator 2019. Mund të na shpjegoni se si ndodhi dhe ku konsistonte studimi?

Në studimin tonë kemi analizuar serum (pjesë e gjakut ku janë të pranishme antitrupat) e 959 pacientëve asimptomatik të cilët ishin pjesë e një studimi per screening të kancerit të mushkërive midis shtatorit 2019 dhe marsit 2020.

Në veçanti, kemi vërejtur nëse kishte antitrupa kundër një rajoni specifik të virusit SARS-COV-2 të quajtur Receptor Binding Domain (RBD). Përmes një testi të quajtur “Receptor-binding domain (RBD)–specific enzyme-linked immunosorbent assay (ELISA)” kemi vërejtur praninë e antitrupave IgG dhe IgM në disa kampione të atyre të analizuara.

Më pas në këto kampione, duke përdorur virusin e gjallë SARS-COV-2, u kryen teste të bazuara në efektin citopatik (CPE) – bazuar në provën e mikroneutralizimit të virusit të gjallë, në një biosiguri të nivelit të dytë, duke vërejtur se disa nga këto serume ishin përsëri pozitive. Këto kampione u mblodhën në tetor-nëntor 2019 dhe shkurt 2020.

Gjëja që dua të nënvizoj është se laboratori ynë ka kryer testet verbërisht, domethënë pa pasur informacion mbi serumet që do të testohen, në mënyrë që të mbetej sa më neutral.

2 – Këto gjurmë të Covid-19 të identifikuara që në Shtator 2019, a hapin një perspektivë të re në lidhje me pacientin zero?

Ky studim hapi perspektiva të reja, duke bërë që laboratorë dhe shkencëtarë të tjerë të fillojnë të vëzhgojnë edhe këtë fenomen. Sot ka një vëmendje të madhe për t’u përpjekur të kuptojmë se sa ka virusi qe qarkullon në të vërtetë në botë.

Nuk mund të themi me siguri asgjë për pacientin zero, studimi ynë nuk synon ta vërë në dukje këtë dhe të dhënat nuk janë të mjaftueshme për të bërë deklarata objektive në lidhje me pacientin zero.

Duke të dal studime të reja, do të mundemi të kuptojmë, në të ardhmen, më mirë se si virusi qarkulloi gjeografikisht.

3 – Këto gjetje a vënë në pikëpyetje gjithë fabulën e deritanishme mbi origjinën e virusit?

Këto studime që po dalin hapin pyetje të reja mbi kohën e origjinës së virusit dhe mbi të gjitha na shtyjnë të bëjmë kërkime për të njohur më mirë edhe nga pikëpamja gjenetike virusin me të cilën po luftojmë.

4 – Sipas opinionit tuaj a ka shanse qe virusi te jete produkt laboratori?

Ne mund t’i përmbahemi të dhënave reale, t’i analizojmë ato në një mënyrë shkencore dhe të vazhdojmë të studiojmë virusin në mënyrë që ta kuptojmë atë më mirë. Këto supozime janë mjaft surreale ose të paprovuara deri më tani.

5 – Si është pritur studimi dhe gjetjet tuaja në Itali?

Në fillim shkaktoi mjaft trazira, kishte një periudhë pas publikimit, në të cilën të gjitha gazetat flisnin për të dhe kishte komente shumë skeptike për të. Eshte normale qe ata që punojnë në këtë sektor mund të kenë dyshime, padyshim që nuk është një temë e lehtë duke pasur parasysh ndikimin e medias që ka për këtë çështje.

Sidoqoftë, e rëndësishme është të ndash studimet tuaja me komunitetin shkencor, në mënyrë që të kuptojme më mirë se si funksionon ky virus dhe si mund ta luftojmë atë.

Në fillim nuk ishte e lehtë, ”Istituto Tumori” ne Milano ishte ndër të parët që lëshoi të dhëna për këtë temë, tani po dalin publikime të tjera që pretendojnë se virusi kishte qarkulluar në botë më herët sesa mendonim. 

Intervistoi H.Hasani/ Hashtag.al

*Studimin e plotë e lexoni Këtu

*Studimin e përshtatur në gjuhën shqipe e lexoni Studimi


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *