Kuvendi i Kosovës zyrtarisht ka njoftuar se sot më 28 dhjetor, në orën 11:00, do të mbahet seanca e jashtëzakonshme për ndarjet buxhetore për buxhetin e vitit 2021.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka bërë të ditur javën e kaluar se seanca plenare është thirrur me kërkesë të më shumë se 40 deputetëve.
Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon miratimin e buxhetit para mbajtjes së zgjedhjeve të reja parlamentare, pasi Kushtetuesja vendosi se vota e deputetit Etem Arifi për zgjedhjen e Qeverisë Hoti në qershor ishte e pavlefshme.
Thirrje për votim të buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare deputetëve u kanë bërë edhe kryeministri në detyrë Avdullah Hoti dhe shefi i GP të LDK-së, Arben Gashi.
Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se do të votojë pro miratimit të buxhetit.