Të paktën tre njerëz kanë vdekur, duke përfshirë dy pjesëtarë të sigurisë, pas një shkëmbimi zjarri në kryeqytetin e rajonit të Çeçenisë.
Sulmuesit e panjohur filluan sulmin ndaj policisë më 28 dhjetor, raportuan mediat lokale duke cituar burime të tyre.
Interfax dhe TASS thanë se sulmuesit hapën zjarr ndaj policisë, ndërsa media të tjera thanë se ata sulmuan oficerët me thika derisa u përpoqën t’i çarmatosnin.
Interfax raportoi se dy sulmues u vranë pasi policia gjuajti me armë zjarri, ndërsa TASS raportoi për një të vrarë. Në këtë zonë është duke u zhvilluar një operacion kërkimi ndërsa policia po heton sulmin, shkruan REL.
Në Çeçeni dhe rajonet tjera ruse të Kaukazit të Veriut, kryesisht të populluara nga myslimanët ndodhin shpesh luftime midis forcave qeveritare dhe militantëve, kryengritja e të cilëve buron nga dy luftërat separatiste post-sovjetike në Çeçeni.
Kaukazi i Veriut në vitet e fundit ka qenë gjithashtu në epiqendër të dhunës së bandave kriminale të organizuara, pastaj mosmarrëveshjeve politike, rivaliteteve klanore dhe përhapjes së islamit militant.