Tre anëtarët e Gjykatës së Lartë kanë shqyrtuar 1957 dosje nga më shumë se 35 mijë janë janë ende të pashqyrtuara, ka thënë kreu i këtij institucioni, Sokol Sadushi.
Në një konferencë për shtyp, ai tha se edhe pse gjykata ka vetëm tre anëtarë, sërish ka bërë një punë voluminoze në periudhën prill-dhjetor 2020.
Nga dosjet e shqyrtuara prej saj, 858 vendime (përfundimtare dhe të ndërmjetme) i përkasin Kolegjit Administrativ, 627 vendime të Kolegjit Civil dhe 471 vendime të Kolegjit Penal.
Sadushi pohoi se pas formimit të plotë të Gjykatës së Lartë me 6 trupa gjykuese, numri vjetor i çështjeve të shqyrtuara pritet të arrijë në 12,000. Në fund të deklaratës së tij ai theksoi se gjykata pritet të plotësohet në muajt e parë të vitit 2021 deri në formatimin e plotë të saj.
“Në muajt e parë të vitit 2021 pritet plotësimi me të paktën një trupë të re gjyqtarësh dhe, në vijimësi, formatimi i plotë i përbërjes së saj. Identifikimi i çështjeve ligjore me përmbajtje të njëjtë në lëndë që synon marrjen e vendimeve që unifikojnë praktikën gjyqësore. Miratimi së fundmi i modelit të strukturës së Gjykatës së Lartë, si dhe përshtatja e saj me nevojat e gjykimit që paraqiten nga realiteti i ri kushtetues dhe ligjor. Miratimi brenda tremujorit të parë të vitit 2021 të ndryshimeve të domosdoshme në legjislacionin procedural, të cilat e bëjnë më efektiv gjykimin në Gjykatën e Lartë. Finalizimi me sukses i emërimit të tre gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Realizimi sa më parë i këtyre objektivave dhe angazhimi i vazhdueshëm i të gjithë aktorëve, të përfshirë në këtë proces, janë tregues të rëndësishëm dhe shpresëdhënës se drejtësia do të bëhet.” – tha ndër të tjera kreu i Gjykatës së Lartë.