Vendosni fjalën kyçe....

Kuvendi i Kosovës miraton ligjin për buxhetin e vitit 2021


Me 85 vota për, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2021. Vota kundër dhe abstenime nuk pati. Deputetët e Kuvendit të Kosovës, me 86 vota, fillimisht miratuan pakon prej 12 amendamenteve të projektligjit, të cilat janë përkrahur nga Komisioni funksional.

Buxheti i miratuar për vitin 2021 kap vlerën e 2.4 miliardë eurove. Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës është thirrur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, me qëllim që buxheti të miratohej përpara se të shpërndahet Kuvendi dhe të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Shpërndarja e Kuvendit të Kosovës pritet të ndodhë pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, e cila, më 21 dhjetor, ka konstatuar se Qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti është zgjedhur në mënyrë jokushtetuese.

Më herët, ministrja në detyrë e Financave, Hykmete Bajrami, kërkoi nga deputetët e Kuvendit që ta votojnë Projektbuxhetin, në mënyrë që, siç tha ajo, të mos bllokohen institucionet e Kosovës.
Në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, projektligji i miratuar nga Kuvendi nënshkruhet nga kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe shpallet nga presidenti i Republikës së Kosovës, tetë ditë pasi ta ketë marrë ligjin.

Nëse presidenti gjatë kësaj periudhe nuk merr asnjë vendim për shpalljen ose kthimin e tij, ligji konsiderohet i shpallur, pa nënshkrimin e presidentit dhe publikohet në Gazetën Zyrtare. Ligji hyn në fuqi 15 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, përveç nëse në vetë ligjin nuk përcaktohet ndryshe.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *