Vendosni fjalën kyçe....

Largohen teknikët e vijnë “të vjetrit” – Lëvizjet e fundit të Ramës në kabinetin qeveritar


Ndërkohë që jemi në prag të nisjes së fushatës zgjedhore dhe ende pa u mbyllur mirë ky vit, kabineti qeveritar ka pësuar mjaft ndryshime.

Kemi parë disa ndryshime në radhët e ministrave në vetëm dy javë dhe kryeministri Edi Rama duket se u është rikthyer bashkëpunëtorëve të tij të vjetër.

Këto ndryshime nisën me dorëheqjen e Sandër Lleshajt nga posti i Ministrit të Brendshëm, pas protestave mbi vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një punonjës policie. Kryeministri Rama propozoi në vend të tij ministrin e Bujqësisë, Bledi Çuçi. E në vend të Çuçit, ai vendosi që Bujqësia të drejtohet nga deputetja socialiste Milva Ikonomi.

Çuçi ka drejtuar Ministrinë e Bujqësisë që prej 17 janarit 2019, duke zëvendësuar në këtë pozicion Niko Peleshin. Milva Ikonomi nga ana e saj është deputete e PS-së dhe drejton Komisionin e Ekonomisë. Në periudhën 2013-2016 ka qenë zv.ministre e Shëndetësisë.

Ndërkohë sot dha dorëheqjen ministri i deleguar Gent Cakaj. Për pozicionin e tij, Rama zgjodhi ministren aktuale të Mbrojtjes Olta Xhaçkën. Ndërsa vendin e kësaj të fundit e zë socialisti i lartpërmendur, Niko Peleshi.

Kush janë ministrat e rinj

Bledi Çuçi është afruar në PS në vitin 2001, ku ka mbajtur disa pozicione deri në vitin 2013 kur bëhet ministër Shteti për Çështjet vendore, gjatë mandatit të parë të qeverisë Rama-Meta. Në vitin 2019 ai zë vendin e Niko Peleshit në Ministrinë e Bujqësisë.

Ai është diplomuar si jurist në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës dhe ka një diplomë pasuniversitare (Master) në menaxhim nga Universiteti Hasselt në Belgjikë

Milva Ikonomi nga ana e saj është diplomuar për Statistikë dhe Ekonomi në Universitetin Bujqësor në Kamëz dhe ka një Master në Administrim Biznesi ( MBA ) nga Universiteti i Tiranës.

Në periudhën 1994-2005 ka qenë drejtoreshë e INSTAT (Institutit të Statistikave të Shqipërisë). Gjatë periudhë 2000-2011 ka qenë anëtare e Këshillit Bashkiak të Tiranës.

Në vitet 2013-2016 ka qenë zv.ministre e Shëndetësisë ndërsa në vitin 2016 është emëruar ministre e Zhvillimit Ekonomik e Turizmit deri në vitin 2017.

Olta Xhaçka mban postin e ministres së Mbrojtjes që prej shtatorit të vitit 2017. Ajo ka përfunduar studimet e larta në Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, si dhe ka përfunduar studimet pasuniversitare Master në Administrim Publik, pranë Clark University në Masaçusets të SHBA-së.

Përpara se të angazhohej në politikë, Xhaçka ka qenë pjesë aktive e shoqërisë civile. Ajo ka mbajtur një sërë postesh të rëndësishme në qeveri, Kuvend dhe brenda PS-së, si deputete, drejtuese e Nënkomisionit Parlamentar për Çështjet e të Miturve, Barazisë Gjinore dhe Dhunës në Familje, si ministre e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe si Kryetare e Forumit të Gruas së Partisë Socialiste.

Niko Peleshi është diplomuar për Inxhinieri Elektronike në Universitetin Politeknik të Tiranës. Ai ka patur një angazhim të gjatë në fushën e biznesit privat në qytetin e Korçës, si dhe në vitet 2001-2004, kur ka drejtuar me sukses Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Korçë.

Ai e ka nisur karrierën në politikë në vitin 2004, kur u emërua prefekt i qarkut të Korçës. Kur PS erdhi në pushtet në vitin 2013 ai u emërua Zëvendëskryeministër i Shqipërisë dhe ka qëndruar në këtë post deri në vitin 2017./ Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *