Tre ditë para fundit të vitit, kryeministri Rama ka njoftuar të tjera ndryshime në kabinetin e tij. Kësaj here i larguari është ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, që i lë vendin Olta Xhaçkës. Kjo e fundit do zëvendësohet nga Niko Peleshi, që rikthehet në qeveri si ministër i Mbrojtjes.
Këtyre ndryshimeve të fundit u kanë paraprirë ato të shtator 2020 dhe dhjetorit 2020. Në fund të shtatorit, Besa Shahini i la vendin Evis Kushit te Ministria e Arsimit, ndërsa pak ditë më parë Bledi Çuci zëvendësoi Sandër Lleshajn, ndërsa Milva Ikonomi mori drejtimin e Ministrisë së Bujqëisë.
Gent Cakaj e Besa Shahini mbahen mend si ministrat e qeverisë Rama që janë kontestuar jo pak, sidomos i pari. Presidenti Meta e refuzoi dekretimin e Cakajt duke e detyruar Ramën që të betohej si ministër i Jashtëm e më pas t’ia delegonte detyrën Cakajt.
Gent Cakaj, ministër i Jashtëm në detyrë 23 janar 2019 – 29 dhjetor 2020
Cakaj e mori detyrën në datën 23 janar 2019 pas një përplasjeje të fortë mes kryeministrit Rama e presidentit Meta. Gjatë gjithë mandatit të tij ai ka qenë ministër në detyrë, një funksion i deleguar nga kryeministri Rama duke qenë se presidenti Meta nuk e dekretoi asnjëherë Cakajn si ministër të Jashtëm.
Kreu i shtetit tha asokohe se profili i Cakajt kishte mungesën e përvojës diplomatike, administrative e shtetërore si dhe kishte treguar mungesë përgjegjësie në disa deklarata të bëra prej tij në mediat.
Besa Shahini, ministre Arsimi 17 janar 2019 – 24 shtator 2020
Besa Shahini është një tjetër shqiptare e Kosovës që ka shërbyer si ministre në kabinetin Rama. Ajo e mori detyrën në shtator 2019 pas largimit të Lindita Nikollës si pasojë e protestave masive disa ditore të studentëve. Shahini ishte zv.ministre Arsimi deri në çastin e marrjes së detyrës.
Gjatë kohës si ministre për rrteh një vit e gjysmë, Shahini është kontestuar jo pak në punën e saj. Kritikat ndaj saj kanë përfshirë më së shumti ato të opozitës lidhur me tekstet shkollore, administrimin e provimeve të maturës, për ligjin e Arsimit të Lartë si dhe administrimin e procesit mësimor gjatë pandemisë Covid-19. /Hashtag.al