Ministri i Shëndetësisë në Spanjë ka deklaruar se vendi i tij do të krijojë një regjistër me emrat e njerëzve që refuzojnë të vaksinohen kundër koronavirusit dhe do ta ndajë këtë informacion me kombet e tjera të Bashkimit Evropian.
Ministri Salvador Illa tha se lista nuk do të jetë e disponueshme për publikun ose për punëdhënësit.
Ai thotë se mënyra për të mposhtur virusin është “të vaksinohemi të gjithë ne – sa më shumë aq më mirë”.
Spanja ka qenë një nga vendet më të prekura në Evropë nga virusi.
Në një intervistë me televizionin “La Sexta” të hënën, ministri Illa theksoi se vaksinimi nuk do të ishte i detyrueshëm.
“Ajo që do të bëhet është një regjistër, i cili do të ndahet me partnerët tanë evropianë … të atyre njerëzve të cilëve u është ofruar dhe thjesht e kanë refuzuar atë.”– tha ai, citon BBC. “Nuk është një dokument i cili do të bëhet publik dhe do të bëhet me respektin maksimal për mbrojtjen e të dhënave.”
Ai shtoi: “Njerëzve të cilëve u ofrohet një terapi që ata e refuzojnë për ndonjë arsye, do të shënohet për ta në regjistër… që nuk ka asnjë gabim në sistem, për të mos i dhënë këtij personi mundësinë e vaksinimit”.
Sipas një sondazhi të fundit, numri i qytetarëve spanjollë që kanë thënë se nuk do të marrin vaksinën ka rënë në 28% nga 47% në nëntor. Ministri Illa tha gjithashtu se njerëzit do të kontaktohen nga autoritetet rajonale kur të jetë radha e tyre për t’u vaksinuar.