Vendosni fjalën kyçe....

Rama u përgjigjet akuzave për detin: Kollitet dikush në Athinë dhe këtu plas rrufa, dokrra kush thotë se Greqia është në avantazh


Kryeministri Edi Rama ka komentuar gjatë konferencës së sotme me gazetarët, për akuzat ndaj qeverisë në lidhje me zgjerimin grek në Jon në 12 milje.

Rama u shpreh se Greqia është në të drejtën e saj ta bëjë një zgjerim të tillë aty ku e lejon gjeografia, ashtu siç e ka bërë një gjë të tillë dhe Shqipëria në vitin 1990. Por ai theksoi se për pjesën ku ushtrimi i kësaj të drejtë është i pamundur, “ne jemi në gjyq me fqinjët.” Ai i konsideron dokrra deklaratat se Greqia është në avantazh në Gjykatën Ndërkombëtare.

Kryeministri akuzoi presidentin Ilir Meta dhe ish-presidentin Bujar Nishani se e kanë shfrytëzuar këtë situatë për qëllime elektorale.

 “Unë besoj që ata që i fryjnë këtij zjarri janë të qëllimshëm. Vështirë të besoj se këta fryrës të këtij zjarri të jenë kaq të mangët nga mendja e kokës. I qëllimshëm për të luajtur me ndjenjat kombëtare, patriotikë për të shfrytëzuar rastin që të krijohet një sebep për sherr e për t’i ndarë punët mes tradhtarësh e patriotësh e për t’i ndarë punët në mënyrën më të shëmtuar.

Shqipëria në vitin 1990 ka bërë të njëjtën gjë që po bën Greqia sot, e kam shpjeguar e ri shpjeguar: Çdo shtet që ka dalje në det ka të drejtë të zgjerohet 12 milje përtej kufirit ekzistues aty ku është e mundur. Shqipëria e ka ushtruar këtë të drejtë në vitin 1990 me dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor, e ka depozituar në maj ‘90 në Kombet e Bashkuara. Nuk rezulton që Greqia të ketë bërë ndonjë reagim apo deklaratë në atë kohë, se është e drejtë e çdo kombi.

Të njëjtën gjë ka bërë edhe Greqia, për detin Jon që është shumë më përtej pjesës tonë në Jon. Në pjesën mes të dyja vendeve s’ka mundësi fizike shtrirja me 12 milje ndaj edhe ne e kemi negociuar kaq kohë, ndaj edhe do shkojmë në gjyq. Nëse do ishte kaq idiotikisht banale sa përshkruhet nga këta të pafe, pa din e pa imam, vetëm për të nxitur urrejtje dhe dëshpërim dhe për të krijuar një trazirë të radhës në funksion të zgjedhjeve, atëherë për çfarë kemi negociuar ne? Për çfarë shkojmë në gjyq? Si mund të arrihet deri në këtë nivel të të menduarit rrafsh fare pa asnjë lëvizje të trurit, si u bëka kështu? Si funksionoka kjo me një mbyllje syri? Bëjmë marrëveshje të fshehtë, marrin ata detin e shesim? Si ndodh kjo? Çfarë të reagojmë ne kur kjo është pjellë e fantazisë shqiptare? Këtë e prodhon mendja e autoritet më të lartë të Republikës së Shqipërisë dhe ish-autoritet më të lartë (Nishani). Kjo s’ka lidhje me zonën e kontestuar mes nesh. Mos harroni këta janë autorët e marrëveshjes së 2009, asaj marrëveshje që u rrëzua nga GJK.

Faktikisht ka qenë kërkesa jonë që në fillim që ta zgjidhim këtë punë me gjykatë dhe nuk donte pala greke, këto teoritë që ata atje janë në avantazh në Gjykatën Ndërkombëtare, janë dokrra. Sa herë tështin apo kollitet dikush në Athinë këtu plas rrufa e madhe për arsye komplet të tjera nga e vërteta, për arsye lufte për pushtet kaq e thjeshtë është kjo. E kemi përsëritur 1 mijë herë se e drejta e 12 miljeve është e drejtë universale e çdo vendi që buron nga Konventa, Greqia e ushtron sot për arsye të veta që s’kanë lidhje me Shqipërinë, tani o unë jam agjent turk që luftoj me Greqinë, o jam agjent grek e luftoj me Turqinë, o në fakt jam ai që jam apo që jam realisht: Kryeministri i Shqipërisë që nuk i negocioj të drejtat e shqiptarëve. Është e turpshëm për një vend si i yni që bëhet kaq qesharak përmes gojëve të një presidenti e ish-Presidenti që edhe gjithë bota qesh me ne.”– deklaroi Rama.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *