Tetë punonjës të një shtëpie kujdesi për të moshuarit në Gjermani, u injektuan me 5-fishin e dozës normale që duhej të merrnin të vaksinës kundër koronavirusit. Kjo e çoi gjysmën e tyre në spital me simptoma të Covid-19. Por kompanitë Pfizer dhe BioNTech këmbëngulin që megadoza është e sigurt.
Siç shkruan RT, tetë punonjësit e shtëpisë së kujdesit në qytetin verilindor të Stralsund-ut u injektuan të dielën aksidentalisht me pesëfishin e sasisë së vaksinës së sapo aprovuar të Pfizer-BioNTech kundër Covid-19
Të dielën ishte dhe dita e parë që Gjermania filloi vaksinimin e punonjësve të kujdesit shëndetësor dhe banorëve të shtëpive të pleqve kundër virusit.
Tetë punonjësit morën pesë herë dozën prej 30 mikrogramësh (mcg) të vaksinës dhe katër prej tyre u shtruan në spital si një “masë paraprake” pasi pësuan simptoma të ngjashme me gripin (dhe të ngjashme me Covid-19).
Lajmi u zbulua të hënën nga administratori i qarkut Vorpommern-Rügen, Stefan Kerth. “Jam penduar thellë për këtë incident”, u tha Kerth gazetarëve, duke shprehur “shpresë” se “të prekurit nuk do të pësojnë efekte anësore serioze”.
Ndërsa doza e përshkruar është vetëm 30mcg, një zëdhënëse e BioNTech këmbënguli se studiuesit kishin eksperimentuar me “doza të rritura” gjatë provave klinike dhe dozat prej më shumë se 100mcg toleroheshin pa “pasoja serioze”.