Vendosni fjalën kyçe....

Aprovohet vaksina e dytë kundër Covid-19 në Britani


Aprovohet vaksina e dytë në Mbretërinë e Bashkuar kundër Covid-19. Siç shkruan BBC, vaksina e krijuar nga Universiteti i Oxford dhe kompania AstraZeneca është aprovuar për përdorim në Mbretërinë e Bashkuar, me dozat e para që do të nisin të shpërndahen të hënën.

Mbretëria e Bashkuar ka porositur 100 milion doza, të mjaftueshme për të vaksinuar 50 milion njerëz. Ministri i Shëndetësisë Matt Hancock tha se kjo do të mbulojë të gjithë popullsinë, kur të kombinohet me vaksinën e Pfizer dhe BioNTech.

Kryeministri Boris Johnson e quajti zhvillimin e vaksinave “një triumf” për shkencën britanike, duke shtuar: “Ne tani do të lëvizim për të vaksinuar sa më shumë njerëz sa më shpejt të jetë e mundur”.

Dhe shefi mjekësor i Anglisë, Chris Whitty e vlerësoi “përpjekjen e konsiderueshme kolektive që na ka sjellë në këtë pikë”.

Duke folur për BBC-në, Hancock tha se kjo shënon një “moment të rëndësishëm” në luftën kundër virusit, duke shtuar se “2021 mund të jetë një vit shprese dhe shërimi sepse ne mund të shohim rrugën për të dalë nga pandemia”.

Vaksina e Oxford-AstraZeneca u krijua në muajt e parë të vitit 2020, u testuar tek vullnetari i parë në muajin prill dhe që atëherë ka kaluar nëpër prova klinike në shkallë të gjerë që përfshijnë mijëra njerëz.

Kjo është vaksina e dytë që aprovohet në Mbretërinë e Bashkuar pasi vaksinës së Pfizer dhe BioNTech iu dha lançimi në dhjetor.

Ndryshe nga vaksina e Pfizer dhe BioNTech, e cila ka nevojë për ruajtje ultra të ftohtë në temperatura  -70C, vaksina e Oxford dhe AstraZeneca mund të ruhet në një frigorifer standard, kështu që do të jetë më e lehtë për t’u shpërndarë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *