Vendosni fjalën kyçe....

Basha pret në takim Enver Hoxhajn: Politika në Shqipëri të mbështesë luftën e UÇK-së


Paraditen e sotme, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka pritur sot në një takim delegacionin e PDK-së të udhëhequr nga Enver Hoxhaj.

Gjatë këtij takimi, biseda u përqendrua në akt-akuzën e ngritur nga Gjykata Speciale për disa nga krerët e politikës në Kosovë dhe ish-udhëheqës të UÇK-së.

Basha tha se: “Kemi folur për një sfidë konkrete, që është ai i përballjes me Gjykatën Speciale. Ky proces nuk duhet lejuar të kthehet në cënim të Luftës së UÇK. Për këtë kërkohet bashkërendim i plotë dhe i gjithanshëm mes Shqipërisë dhe Kosovës. Të gjitha forcat politike në të dy vendet duhet të japin kontributin e tyre dhe të jenë njëzëri në mbështetje të saj. Kjo është një sfidë për avancimin e Kosovës në rrugën e integrimit”.

Pas Bashës, fjalën e mori dhe kreu i PDK-së, Enver Hoxhaj. Ai tha se e gjithë politika kosovare e shqiptare duhet të bashkohet në mbështetjeve të Luftës së UÇK-së, që e konsideron si themel të lirisë dhe pavarësisë në Kosovë.

 “Është kënaqësi e veçantë që takoj sot kryetarin e PD, z. Basha. E falënderoj z. Basha për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës. Kemi pasur bashkëpunim shumë të mirë me të, edhe si ish-ministra të Jashtëm, edhe kur isha ministër i Arsimit. E kemi pasur bashkëpunimin e parë në mars të 2008, kur bëmë përpjekje që të marrim sa më shumë njohje për Kosovën. Asnjëherë s’e kisha menduar që në 2020 Kosova e pavarur do të kishte një vit të vështirë, që përveç pandemisë, morëm dhe goditje nga Gjykata Speciale. Ne mendojmë se të gjithë faktorët politikë në Shqipëri duhet të japin mbështetje maksimale. Lufta e drejtë e UCK është themel i lirisë dhe pavarësisë sonë. Mund të ketë situata që kjo gjykatë të përdoret në të ardhmen në raport me të ardhmen e Kosovës”, deklaroi Hoxhaj.

Ai është i zgjedhur nga partia e tij dhe si kandidat për zgjedhjet presidenciale në Kosovë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *