Vendosni fjalën kyçe....

Beqiraj: Sot nuk kam asnjë këshillë për kryeministrin


Ish këshailltarja ekonomike e kryeministrit Edi Rama në një intervistë të fundit për gazetën “Si”, foli mbi atë se çfarë shënjoi pandemia për Shqipërinë në aspektin e mësimnxënies.

Irena Beqiraj gjatë analizës së saj mëton të shpjegojë mentalitetin e politikbërjes së qeverive shqiptare, përfshirë atë aktuale, të cilat sipas saj punojnë sot për sot dhe jo me vizion në bazë studimesh e strategjish.

Prandaj ajo e quan tërësisht afatshkurtër mbështetjen e rritjes ekonomike në 2021 tek procesi i rindërtimit dhe investimet publike.

Në kushtet e recesionit, shteti në afat të shkurtër mund të marë masa kundërciklike duke investuar në infrastrukturë publike dhe strehim. Por ritheksoj që kjo do të ndihmojë rritjen ekonomike vetëm në afat të shkurtër pra në vitet kur kryen investimet. Ndërkohë që multiplikatori i investimeve publike, dhe strehimit është shumë afër zeros, bën që investimet publike të rezultojnë në nivele më të larta të borxhit, duke vendosur në rezik shëndetin makroekonomik të vendit.”- shprehet Beqiraj.

Ish këshilltarja e kryeministrit Rama komenton edhe vitin elektoral në këndvështrimin e pritshmërive të politikave, veçanërisht atyre ekonomike, për të cilat sipas saj nuk ka ndonjë iluzion.

“Ndihet gëzimi politik i parakohëshëm që lulëzon mbi ëndrrat e fitores. Ajo që mungon sërisht në këto zgjedhje “të rëndësishme e vendimtare”  është se nuk kemi asnjë zhvillim serioz në politkëbërje. sidomos atë ekonomike. Kohët që jetojmë, sic shpjegova më sipër, e kërkojnë këtë. Por nuk mungon “folkori politik” i rritjes së punësimit, uljes së taksave, rritjes së investimeve publike, rritjes së pagave të arsimtarëve dhe mjekëve apo rrritjes së pensioneve. Fushatat zgjedhore që nga përkufizimi, janë kohët më të këqija të mundshme për të menduar seriozisht për të ardhmen e vendit.“- thotë ajo.

Megjithatë, duke iu rikthyer mësimeve që nxorri pandemia, Beqiraj e vë theksin tek roli më i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm i shërbimeve publike, qeverisë si ent ombrellë i shtetit veçanërisht në kohë krizash si pandemia,  duke i mëshuar vizionit afatgjatë të politikbërjes dhe një shteti efektiv pavarësisht të madh apo të vogël.

Ju keni qënë  aktive kryesisht me shkrimet tuaja  në Gazetën “Si” gjatë pandemisë, ku jo vetëm  keni vënë në dukje disa probleme në menaxhimin që iu bë kësaj të fundit, por keni dhënë edhe rekomandime. Duke shmangur përsëritjen, në këndvështrimin tuaj, çfarë mësimesh shenjoi kjo pandemi?

Do të vecoja të paktën tre mësime, që në këndëvështrimin tim janë të rëndëshishme. Së pari, kjo pandemi tregoi që nuk ka asnjë zëvendësues efektiv të shërbimeve publike. Dekadat e privatizimit, ofrimit të shërbimeve publike nga entet private, shkurtimeve të buxhetit në emër të “efikasitetit” penguan ndjeshëm përgjigjet e shumë qeverive ndaj krizës COVID-19. Pandemia vërtetoi se investimi në aftësitë thelbësore të sektorit publik, ishte përcaktuesi bazë i suksesit të një qeverie në menaxhimin dhe përballimin e pandemisë. Gjatë dekadave të fundit, shumë financues ndërkombëtarë dhe organizata zhvillimi janë përpjekur të anashkalojnë qeveritë, për shkak të korrupsionit apo burokracisë, por kjo pandemi qartësisht tregoi se qeveria është aktori kryesor kur bëhet fjalë për menaxhimin e emergjencave, administrimin e politikave të zhvillimit, sigurimin e mbrojtjes sociale për të papunët dhe për zbutjen e varfërisë. Pandemia mbylli njëhërë e mirë debatin shteti i vogël apo shtet i madh, duke e zëvendësuar atë me debatin si mund të ndërtojmë një shtet efektiv.

Së dyti, pandemia tregoi rëndësinë e komunikimit efektiv, transparencës dhe shpejtësë në ndërhyrje. Të tre këto komponentë janë përcaktues po aq të rëndësishëm në suksesin e ndërhyrjes, sa edhe madhësia e saj. Fatkeqësisht por jo çuditërisht, vendimarrësit u gjendën sërisht, në shpërqëndrimin e pamëshirshëm, të përditshëm të politikës, nën presionet e rrepta partiake. Ato nuk arritën të prioritizojnë dhe të komunikojnë efektivisht vendimmarrjet e tyre. Sërish gjatë kësaj pandemie u ndje përparësia e demagogjisë në politikbërje.

Mësimi i tretë shpjegohet më së miri me shprehjen e Bertolt Brecht “Për shkak se gjërat janë ashtu siç janë, gjërat nuk do të mbesin më ashtu si janë”. Kjo pandemi ka ndryshur një herë e mirë këndvështrimin e shoqërisë njërëzore për matësit e suksesit të qeverive dhe ekonomive. Nesër do të flitet më shumë për rritjen ekonomike gjithëpërfshirëse, sesa thjesht për normën e saj, do të flitet më shumë për punësimin cilësor sesa për punësimin me paga të ulta. Në vend të uljes së taksave nga qeveritë do të kërkohet ndërhyjrje edhe invesime në inovacion, teknologji, në krijimin edhe shpërndarjen e njohurive. Pra, kjo pandemi megjithë të këqijat që e shoqëruan, hodhi dritë mbi dështimin e politkbërjes afatshkurtër duke nxjerrë në pah nevojën për të menduar në afat të gjatë.

Për të ardhur tek rritja ekonomike, sipas qeverisë rritja ekonomike në vitin 2021 do të sigurohet nëpërmjet procesit të rindërtimit, dhe investimeve publike? A e shikoni këtë qasje të gabuar?

Nuk do ta cilësoja të gabuar por tërëshisht afatshkurtër. Nuk adreson asnjë nga problemet afatgjata të ekonomisë tonë. Pa mbërritur pandemia, Shqipëria ishte futur në një krizë makro-ekonomike. Ekonomia ishte nën-shfrytëzimin e kapacitetit prodhues, veçanërisht në sektorin jo tregtar, e padifersifikuar, e fragmentizuar në mikro biznese dhe biznese të vogla. Ulja e vazhdueshme e normave të interesit nga Banka e Shqipërisë  nuk arriti ta ushqejë rritjen e kredisë. Kreditimi i ulët i sektorit privat u shoqërua me një ulje të investimeve private nga 19% të PBB-së në 2014 në 16% të PBB në 2018. Në kushtet e recesionit, shteti në afat të shkurtër mund të marrë masa kundërciklike duke investuar në infrastrukturë publike dhe strehim. Por ritheksoj që kjo do të ndihmojë rritjen ekonomike vetëm në afat të shkurtër pra në vitet kur kryen investimet. Ndërkohë që multiplikatori i investimeve publike, dhe strehimit është shumë afër zeros, bën që investimet publike të rezultojnë në nivele më të larta të borxhit, duke vendosur në rrezik shëndetin makroekonomik të vendit.

Ajo që mungon tërsisht në vendimmarrjet ekonomike dhe politike është mbështetja afatgjatë e sektorit privat dhe një qasje strategjike afatgjatë për mbështetjen e strukturave të prodhimit vendas. Struktura jonë aktuale e prodhimit e ka të pamundur të mbështesë rritjen ekonomike të qëndrueshme. Bazuar në strukturën ekzistuese të prodhimit rritja ekonomike për dekadën e ardhshme parashikohet  mesatarisht 1.83%.

Në forumin “Shtegu i ngushtë i zhvilllimit” në Gazetën “Si”, do të veçoja një artikull në të cilin i konsideroni “investimet e huaja një mbështetje pasive për ekonominë”. Ndërkohë jemi mësuar që në cdo narrativë ekonomike, strategji qeveritare, niveli i investimeve të huaja të jetë  matësi i suksesit apo i dështimit. Ku e mbështesni këtë qasje të ndryshme ndaj Investimeve të huaja dhe direkte?

Së pari stade të ndyshme zhvillimi kanë nevojë për mjete të ndyshme zhvillimore. Deri në vitin 2008, kohë kur Shqipëria kaloi në vend me të ardhura të mesme, investimet e huaja kanë mbështetur rritjen ekonomike, punësimin dhe stabilitetin fiskal në Shqipëri. Por edhe pse kjo mbështetje ka qenë e nevojshme, ka qenë e kufizuar. Investimet e huaja edhe pse sot kapin vlerën 57% të PBB-së, kanë qënë të pa diversifikuara. Kompanitë e huaja në Shqipëri, kanë investuar më së shumti në shfrytëzimin e burimeve natyrore (naftë metale dhe uje), sektorin e shërbimeve financiare, si dhe në aktivitetet fundorë të cikleve të prodhimit siç (është montimi) duke shfrytëzuar krahun e të lirë të punës. Vlera e shtuar e aktivitetit të tyre në Shqipëri ka qenë përgjithësisht e ulët. Kjo shpërndarje sektoriale nuk ofron qëndrueshmëri në planin afatgjatë, pasi jo vetëm burimet natyrore janë të kufizuara, por çdo ditë e më shumë rritet presioni i nivelit të pagave, duke detyruar një pjesë të investitorëve të lëvizin drejt vendeve me paga më të ulta.

Një fakt  tjetër shumë i rëndësishëm, që  shpreh qartë mbështetjen pasive dhe jo afat gjatë që kanë dhënë investimet e huaja të deri tanishme, është transferimi i njohurive. Shqipëria ka nivel të ulët të njohurive prodhuese krahasuar me nivelin e saj të ardhurave. Edhe pse krenohemi që jemi vendi i dytë në rajon për nga niveli i investimeve të huaja, duket se ato kanë ndikuar pak në rritjen e njohurive në vend. Ne kemi nevojë për investime të huaja direkte në sektorin prodhimit. Pra, më shumë se madhësia e investimeve të huaja sot, ka rëndësi sektorët ku ato investojnë.

Viti  2021 është një vit zgjedhor i cili është cilësuar vendimtar nga opozita shqiptare. A mund të bëni një përshkrim të fushatës zgjedhore, cfarë prisni nga ajo ?

Të gjitha zgjedhjet, gjatë 30 viteve, në këtë vend janë përkufizuar “si zgjedhje të rëndësishme apo vendimtare”. Që kur Presidenti Meta dekretoi datën e zgjedhjeve  ka filluar fushata elektorale. Sot kemi një buxhet që i përshtatet fizionomisë së një viti zgjedhor, tre liderë të rinj partish, sondazhe me rezultate të dyshimta që kundërshtojnë njëri- tjetrin, në sfond  një krizë shëndetësore që vazhdon. Ndihet gëzimi politik i parakohshëm që lulëzon mbi ëndrrat e fitores. Ajo që mungon sërish në këto zgjedhje “të rëndësishme e vendimtare”  është se nuk kemi asnjë zhvillim serioz në politkbërje. sidomos atë ekonomike. Kohët që jetojmë, sic shpjegova më sipër, e kërkojnë këtë. Por nuk mungon “folklori politik” i rritjes së punësimit, uljes së taksave, rritjes së investimeve publike, rritjes së pagave të arsimtarëve dhe mjekëve apo rrritjes së pensioneve. Fushatat zgjedhore që nga përkufizimi, janë kohët më të këqija të mundshme për të menduar seriozisht për të ardhmen e vendit.

Në këto zgjedhje “të rëndësishme”, liderët që i drejtojnë fushatat do të bëjnë të njëjtat gjëra të parëndësishme, do të luajnë ping- pong nëpër studiot televizive, me gazetarët e zgjedhur nga zyrat e tyre të komunikimit, do të puthin çdo plakë e fëmijë në kronikat televizive , apo do të ulen gju më gju me popullin.

Eksperienca më ka mësuar të mos pres asnjë debat serioz dhe asnjë politikë serioze gjatë vitit zgjedhor. Pra, edhe pse zgjedhje “vendimtare dhe të rëndëshishme”, rezultati i tyre do të tërësisht i parëndësishëm dhe aspak vendimtar  për të ardhmen e vendit. E ardhmja jonë kërkon politika të informuara dhe të mirëmenduara të cilat vendosin gurë kilometrik për brezat që vijnë.

Nëse do të kishit mundësi ti jepni një këshillë ekonomike Kryeministrit  cila do të ishte ajo?

Sot nuk  kam asnjë këshillë për Kryeminsitrin.  Qëllimi i tij është të mbajë  vetëm pushtetin  dhe qasja e tij për arritjen e këtij qëllimi,  nuk ka asnjë lidhje organike  me ekonominë.

VINI RE: Intervista është pronësi intelektuale e gazetës “Si”


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *