Kompania që fitoi tenderin për ndërtimin e Urës së Paskuqanit ka shkelur afatet kohore për ndërtimi e urës që lidh mijëra banorë e biznese me Tiranën.
Bëhet fjalë për një nyje të rëndësishme komunikimi. Ura e vjetër ka qenë me një kalim duke u bërë pengesë për qarkullimin normal të banorëve të Paskuqanit dhe Kompania 4 A-M, fitoi tenderin prej 865 milionë lekësh të Bashkisë së Kamzës për ndërtimin e një ure të re me dy kalime që pritet të lehtësojë ndjeshëm trafikun.
Por edhe pse ajo duhet të përfundonte brenda 46 ditëve sipas njoftimit të Bashkisë së Kamzës por edhe dokumenteve të tenderit, nga nisja e punimeve kanë kaluar më shumë se dy muaj, punimet nuk kanë përfunduar ende.
Duhet thënë se kompania nuk ka pasur asnjë pengesë për sa i përket kushteve atmosferike duke qenë se moti ka qenë i favorshëm ndërsa arsyet e vonesës së punimeve janë të paqarta. Aktualisht ura është drejt përfundimit por është ende mister edhe sa kohë do i duhe ende kompanisë që ta përfundojë urën.
Duke pasur parasysh edhe punimet në ish-sheshin Shqiponja, trafiku në rrugën nga Ura e Institutit deri te Ura e Babrrusë është tejet e ngarkuar në çdo orë e ditë të javës duke u kthyer në një pengesë serioze për lëvizjen e makinave.
Ndërsa për kalimin e këmbësorëve kompania ka ndërtuar një “urë” provizore me dhe anash urës që po ndërtohet. Ajo përmbytet sa herë që Tirana përfshihet nga ndonjë ditë me rrebesh duke vështirësuar mjaft kalimin e këmbësorëve.