Shkencëtarët besojnë se mund të kenë zbuluar pse stresi i bën flokët të zbardhen dhe mënyrën e mundshme për ta ndaluar këtë të ndodhë.
Në eksperimentet mbi minjtë, u zbulua se qelizat staminale që kontrollojnë ngjyrën e lëkurës dhe flokëve u dëmtuan pas stresit të fortë.
Minjtë me gëzof të errët u zbardhën plotësisht brenda disa javësh të eksperimentit. Studiuesit amerikanë dhe brazilianë që kryen këtë hulumtim, thonë se kjo rrugë vlen të eksplorohet më tej për të zhvilluar një ilaç që parandalon humbjen e ngjyrës së flokëve nga plakja.
Burrat dhe gratë mund të bëhen me thinja nga mesi i të 30-ave. Kjo edhe pse varet kryesisht nga procesi natyror i plakjes dhe gjenet, stresi gjithashtu mund të luajë një rol.
Por shkencëtarët nuk e kishin të qartë se si stresi ndikon në qimet në kokat tona.
Siç shkruan BBC, studiuesit nga Universitetet e Sao Paulos në Brazil dhe të Harvardit, besojnë se efektet ishin të lidhura me qelizat burimore të melanociteve, të cilat prodhojnë melaninën dhe janë përgjegjëse për flokët dhe ngjyrën e lëkurës.
Dhe ndërsa kryenin eksperimente mbi minj, ata gjetën prova se ky ishte rasti.
“Tani e dimë me siguri që stresi është përgjegjës për këtë ndryshim specifik të lëkurës dhe flokëve tuaj, dhe mënyrën se si funksionojnë.”- thotë Prof Ya-Cieh Hsu, autor i hulumtimit nga Universiteti i Harvardit.
‘Dëmtimi është i përhershëm’
Dhimbja tek minjtë shkaktoi lirimin e adrenalinës dhe kortizolit, duke i bërë zemrat e tyre të rrahin më shpejt dhe presionin e gjakut të rritet, duke ndikuar në sistemin nervor dhe duke shkaktuar stres akut.
Ky proces më pas shpejtoi shterimin e qelizave burimore që prodhuan melaninë në gjëndrat e flokëve.
“Unë prisja që stresi të ishte i keq për trupin.”– tha Prof Hsu. “Por ndikimi i dëmshëm i stresit që zbuluam ishte përtej asaj që imagjinoja. Pas vetëm disa ditësh, të gjitha qelizat burimore të rigjenerimit të pigmenteve u humbën. Sapo të jenë zhdukur, nuk mund të rigjeneroni më pigmentin – dëmi është i përhershëm”.
Në një eksperiment tjetër, studiuesit zbuluan se mund të bllokonin ndryshimet duke u dhënë minjve një medicament anti-hipertension, i cili trajton presionin e lartë të gjakut.
Dhe duke krahasuar gjenet e minjve që ishin në dhimbje me minjtë e tjerë, ata mund të identifikojnë proteinën e përfshirë në shkaktimin e dëmtimit të qelizave burimore nga stresi.
Kur kjo protein, kinaza e varur nga ciklina (CDK) – u mbajt nën kontroll, trajtimi gjithashtu parandaloi një ndryshim në ngjyrën e gëzofit të tyre.
Kjo e lë derën të hapur për shkencëtarët për të ndihmuar në vonimin e shfaqjes së flokëve gri duke synuar një ilaç.