Vendosni fjalën kyçe....

Meta dekreton shkarkimin e Ramës nga Ministria e Jashtme, Xhaçka e Peleshi marrin postet e reja


Presidenti i vendit Ilir Meta ka firmosur dekretin për ndryshimet e reja në kabinetin qeveritar. Kështu ai ka firmosur shkarkimin e kryeministrit Edi Rama nga posti i Ministrit të Jashtëm dhe të Olta Xhaçkës nga posti si ministre e Mbrojtjes.

Po ashtu Xhaçka është dekretuar si ministrja e re e Jashtme dhe vendin e saj në dikasterin e Mbrojtjes e merr Niko Peleshi.

“Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta ka dekretuar sot shkarkimin e zotit Edi Rama nga detyra e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme dhe zonjës Olta Xhaçka nga detyra e ministrit të Mbrojtjes.

Po sot, Presidenti Meta ka dekretuar emërimin e zonjës Olta Xhaçka në detyrën e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme dhe zotit Niko Peleshi në detyrën e ministrit të Mbrojtjes.”- thuhet në një njoftim të Presidencës.

Këto lëvizje erdhën pas dorëheqjes së ministrit të deleguar Gent Cakajt, nga Ministria e Jashtme. Ky i fundit e mori detyrën në datën 23 janar 2019 pas një përplasjeje të fortë mes kryeministrit Rama e presidentit Meta. Presidenti e refuzoi dekretimin e Cakajt duke e detyruar Ramën që të betohej si ministër i Jashtëm e më pas t’ia delegonte detyrën Cakajt.

Por me dorëheqjen e këtij të fundit në prag të Vitit të Ri, kryeministri Edi Rama propozoi në këtë detyrë ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçkën. Në Ministrinë e Mbrojtjes ai vendosi ish-ëvendës kryeministrin Niko Peleshin.

Por këto janë vetëm lëvizjet e fundit në qeveri në vetëm pak javë.

Pas protestave mbi vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një punonjës policie, Sandër Lleshaj dha dorëheqjen nga posti i Ministrit të Brendshëm, Rama propozoi në vend të tij ministrin e Bujqësisë, Bledi Çuçi. E në vend të Çuçit, ai vendosi që Bujqësia të drejtohet nga deputetja socialiste Milva Ikonomi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *