Vendosni fjalën kyçe....

Ndryshe nga çdo vit tjetër, bota e pret 2021-shit nën hijen e Covid-19


Miliona njerëz në të gjithë botën janë duke u përgatitur për natën e ndërrimit të viteve por ndërkohë dhjetëra vende kanë vendosur bllokime, kufizime dhe orë policore si kurrë më parë për të parandaluar një rritje të rasteve me Covid-19.

Nata e Vitit të Ri shënon një vit që kur Organizata Botërore e Shëndetësisë përmendi për herë të parë një pneumoni misterioze në Kinë, e identifikuar më vonë si Covid-19 e cila vazhdoi përgjatë gjithë vitit 2020 duke u përhapur në të gjithë botën dhe duke i marrë jetën 1.79 milion njerëzve.

Por përpjekjet ndërkombëtare ndihmuan në zhvillimin e vaksinave në kohë rekord dhe pas Pfizer-BioNTech dhe Moderna, vaksina e zhvilluar nga AstraZeneca është bërë e treta që fiton miratimin në botën perëndimore.

Në Mbretërinë e Bashkuar, njerëzit që planifikojnë të festojnë Natën e Vitit të Ri janë paralajmëruar nga autoritetet se duhet t’i lënë festimet për më vonë në vitin 2021 pasi “Covidi turma do”.

Të Mërkurën u raportuan 981 vdekje dhe 50,023 raste të reja, kur qeveria njoftoi kufizime më të rrepta. Prof Stephen Powis, drejtori kombëtar mjekësor i Anglisë, tha se qëndrimi në shtëpi dhe pritja e 2021-shit brenda rregullave, do të zvogëlonte infeksionet dhe do të lehtësonte presionin mbi spitalet.

“Ne e dimë se është fundi i vitit, është një kohë ku njerëzit tradicionalisht duan të festojnë. Por është absolutisht e rëndësishme që këtë vit, të gjithë të vazhdojnë të ndjekin udhëzimet duke qëndruar në shtëpi dhe duke mos u përzier.”– tha Powis, citon The Guardian.

Kryeministri, Boris Johnson, gjithashtu i nxiti njerëzit të ndiqnin rregullat dhe “të prisnin vitin e ri të sigurt në shtëpi”.

Franca ka njoftuar se do të vendosë 100 mijë policë dhe xhandarë për të goditur festat, tubimet dhe djegien tradicionale të automjeteve në 31 Dhjetor.

Ministri i brendshëm Gérald Darmanin tha se oficerët do të zbatonin në mënyrë rigoroze shtetrrethimin nga ora 08:00 e mbrëmjes deri në 06:00 të mëngjesit, si pjesë e asaj që ai e përshkroi si një “luftë kundër tubimeve të paautorizuara publike dhe fenomenit të dhunës urbane”.

Operacionet e policisë do të përqendrohen në qendrat e qytetit dhe lagjet “e ndjeshme”. Numri i policisë dhe xhandarëve është i njëjtë me vitin e kaluar. Darmanin gjithashtu u ka kërkuar shefave lokalë të policisë që të vendosin ndalime në shitjen e karburantit ose alkoolit në kontejnerë.

Gjermani, e cila ndodhet nën një bllokim të pjesshëm, Angela Merkel mbajti fjalimin e saj të vitit të fundit si kancelare. Ajo pranoi që 2020 ishte një nga vitet më të vështira të udhëheqjes së saj 15-vjeçare.

Në një shfaqje të rrallë emocionesh, Merkel, e cila drejtoi Gjermaninë dhe Bashkimin Evropian përmes krizës financiare të vitit 2008, krizës së borxhit grek një vit më vonë dhe krizës së migrantëve pesë vjet më parë, dënoi protestat kundër bllokimeve.  Ajo tha se do të vaksinohej kur vaksina të bëhet e disponueshme gjerësisht.

Edhe në vendet e tjera nëpër botë, autoritetet e nxitën publikun ta presë vitin e ri në shtëpi. Autoritetet e qytetit të New York-ut kanë njoftuar se “Times Square” nuk do të jetë e hapur për publikun. Ata që dëshirojnë të marrin pjesë në ceremoninë e topit të kristaltë që shënon hyrjen e vitit të ri, mund ta ndjekin në internet ose të shikojnë në televizion.

E ky ndryshim dramatik nuk është unik vetëm në Manhattan. Qytetet e tjera të SHBA-ve po ndryshojnë mënyrën e festimit ndërsa rastet me Covid-19 dhe vdekjet rriten në të gjithë vendin. Të dhënat më të fundit të Universitetit Johns Hopkins raportojnë 19,448,626 raste në SHBA dhe 336,947 vdekje.

Edhe qytetet e mëdha në Tajvan kanë zvogëluar eventet e Vitit të Ri dhe po u thonë njerëzve të shikojnë fishekzjarret në shtëpi. Kjo vjen në një kohë kur është zbuluar dhe rasti i parë në këtë vend, i variantit të ri të virusit që po përhapet masivisht në Britani.

Tajvani e ka mbajtur pandeminë mirë nën kontroll falë masave të hershme dhe efektive të parandalimit, duke përfshirë karantinat për çdo person që mbërrin nga jashtë.

Në qytetin më të madh të Australisë, Sidnei, njerëzve gjithashtu u është kërkuar që të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin shfaqjen e famshme të fishekzjarreve në mesnatë buzë portit. Kufizimet janë futur gjithashtu në shtetin jugor të Victorias.

Por në Zelandën e Re, e cila ka arritur të eleminojë koronavirusin pas një bllokimi të rreptë shtatë javor, planet e Vitit të Ri po vazhdojnë si zakonisht.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *