Policia e Tiranës ka dhënë informacionin zyrtar lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi mëngjesin e sotëm në zonën e Astirit në kryeqytet.
Në fillim mediet raportuan se një djalë dyshohej se kishte plagosur nënën, por nuk ka rezultuar kështu. Më pas doli se ishin vrarë dy gra.
Sipas njoftimit të uniformave blu, i dyshuari është një 59-vjeçar i cili ka vrarë me armë zjarri bashkëjetuesen e tij si dhe motrën e kësaj të fundit.
“Sipas të dhënave zyrtare, rreth orës 10:30, në Astir, shtetasi P. A., 59 vjeç, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, ka qëlluar me armë zjarri bashkëjetuesen e tij dhe motrën e saj, ende të paidentifikuara, të cilat si pasojë e plagëve të marra kanë ndërruar jetë.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policie, të cilat kanë rrethuar zonën, me qëllim kapjen e autorit.
Janë ngritur pika kontrolli në të gjitha akset rrugore dhe vijon puna nga grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.”- thotë policia.