Vendosni fjalën kyçe....

Aktivisti i Vetëvendosjes zbulon si qytetarët mund të garojnë në zgjedhjet e 25 prillit


Egon Loli i cili është aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri ka folur për iniciativën më të fundit të grupit të tij për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Lëvizja Vetëvendosje i ka ftuar qytetarët të garojnë për deputetë me logon e kësaj partie dhe Loli ka treguar se si qytetarët mund të marrin pjesë.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë me “Euronews Albania”, Egon Loli shpjegoi formulën se si qytetarët do të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme.

Ai tha se 9 qytetarë kanë të drejtë të propozojnë një emër si kandidat për deputet ndërsa më pas do të duhet të mblidhen 3 mijë firma për të kofirmuar këtë kandidaturë.

Loli thotë se kjo iniciativë ka ardhur pasi ndryshimet e fundit Kushtetuese dhe të Kodit Zgjedhor pengojnë iniciativat qytetare për të garuar në zgjedhje. Për këtë arsye tha ai po përgatitet dhe një ankimim në Gjykatën Kushtetuese.

 “Ndryshimet në Kodin Zgjedhor i kanë shërbyer autoritarizmit elektoral në dobi të mazhorancës. Gjykata Kushtetuese dhe grupi i punës së juristëve është duke punuar që këto ndryshime që i konsiderojnë antikushtetuese dhe që pengojnë iniciativat demokratike t’i çojmë në Gjykatë Kushtetuese për t’i rrëzuar ato.

Është e nevojshme që iniciativa qytetare të çohen përpara ndërkohë që sistemi elektoral aktual duke vendosur prag rajonal dhe kombëtar, ndalon që qytetarët të mos përfaqësohen. Pragu i dyfishtë është problem i madh në ndryshimet kushtetuese dhe Kodin Zgjedhor”, u shpreh aktivisti i VV-së.

Lëvizja VETËVENDOSJE në Shqipëri ka deklaruar para disa ditësh se do të marrë pjesë në zgjedhjet e 25 prillit duke mbështetur kandidatë nga zgjedhësit që dalin prej iniciativave qytetare në cilëndo prej 12 zonave elektorale në Shqipëri.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *