Larry King është infektuar me koronavirus dhe po kurohet në një spital në Los Angeles. Të afërm të tij kanë thënë për mediet amerikane se ai ka qenë në Qendrën Mjekësore Cedars-Sinai për më shumë se një javë.
Por përfaqësuesit e King, nuk kanë komentuar publikisht për shtrimin në spital dhe detajet e gjendjes së tij aktuale nuk janë të qarta.
King është përballur me disa probleme shëndetësore në vitet e fundit, përfshirë sulmet në zemër.
“Larry ka luftuar kaq shumë probleme shëndetësore në vitet e fundit dhe ai po lufton shumë edhe me këtë, ai është një kampion.”– i tha një burim CNN-it.
Lajmi për trajtimin e tij në spital u raportua për herë të parë në 1 janar nga portali “Shoëbiz 411”, që vuri në dukje se ai po trajtohej i izoluar dhe nuk ishte në gjendje të pranonte vizita familjare.
King u bë i famshëm në vitet 1970 me programin e tij në radio “The Larry King Show”. Ai më vonë drejtoi programin “Larry King Live” në CNN, midis viteve 1985 dhe 2010, duke zhvilluar intervista me një mori të ftuarish, përfshirë politikanë, atletë, artistë dhe teoricienë konspiracioni.
Ai gjithashtu ka shkruar për gazetën “USA Today” për mbi 20 vjet.
Gjatë karrierës së tij, King është përballur me probleme të shumta me shëndetin, duke përfshirë diabetin, anginën, sulmet në zemër dhe kancerin e mushkërive.
Dy nga pesë fëmijët e tij humbën jetën vitin e kaluar me pak javë diferencë nga njëri-tjetri. Njëri nga një sulm në zemër, tjetri nga kanceri i mushkërive.
Gjatë karrierës së tij mbi 60 vjeçare, King ka vlerësime të shumta, duke përfshirë dy Çmime “Peabody” dhe një “Emmy”.