Vendosni fjalën kyçe....

Meta i shqetësuar për largimin ‘e ajkës’ së shoqërisë: Referendumi i 25 prillit vendimtar për dekadat që vijnë


Presidenti i vendit Ilir Meta ka reaguar me shqetësim për raportin e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, që e rendit Shqipërinë në vendin e katërt për emigracionin e personave me aftësi të larta në punë dhe të tetën në botë për largimin e intelektualëve.

Meta thotë se largimi i ‘ajkës’ së shoqërisë është një tregues i dhimbshëm për Shqipërinë Ndërsa e konsideron ditën e zgjedhjeve si një referendum vendimtar për të ardhmen e vendit.

“Një tjetër rekord i zi! Sipas raportit të vitit 2020, të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) Shqipëria renditet e 4-ta në botë për emigracionin e personave me aftësi të larta në punë dhe e 8-ta në botë për normën e largimit të intelektualëve.

Largimi i ‘ajkës’ së shoqërisë, është një tjetër tregues i dhimbshëm se nga Shqipëria po largohen edhe qytetarët, që kanë një standard të mirë jetese, marrin një pagesë të kënaqshme dhe kanë një pronë, por për të cilët niveli i shërbimeve publike është i papranueshëm, ndjehen pa zë, të papërfaqësuar, të pafuqishëm për të ndryshuar gjendjen në vend dhe të pashpresë për të ardhmen e fëmijëve të tyre.

Referendumi i 25 prillit 2021 është vendimtar për të ardhmen e Shqipërisë, jo vetëm për 4 vite, por për dekadat që vijnë.

Është një mundësi për të rikthyer standardet cilësore të shërbimeve, respektin dhe dinjitetin njerëzor, për ta bërë Shqipërinë një vend të jetueshëm për të gjithë, me mundësi dhe shpresa të reja, veçanërisht për rininë.

Me shpresë dhe besim, të bashkohemi e të marrim në dorë fatet tona për të ndryshuar këtë realitet, që po shkatërron familjet dhe po plak Shqipërinë, për të ndërtuar këtu të ardhmen e sigurtë dhe europiane për të gjithë.”- shkruan Meta.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *